Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar: Rritja e eksporteve bujqësore realitet, faktor kryesor rimbursimi i TVSH

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/- Shqipëria ka njohur një rritje të eksporteve bujqësore krahasuar me vitin 2018. Rritjen më të ndjeshme e ka shënuar agroindustria, bujqësia dhe peshkimi. Eksportet gjatë 2019 u rritën me 8.89% krahasuar me 2018.

Rritja e prodhimit vendas ka sjellë gjatë vitit që lamë pas ulje të importeve bujqësore me 0.82 % dhe importet e sektorit të peshkimit u ulën me 0.64%.

Sipas shifrave zyrtare, për gjatë vitit 2019, eksportet bujqësore zgjeruan hartën gjeografike. Italia importoi 25% të prodhimeve bujqësore shqiptare. Kosova 10% e ndjekur nga Greqia e Suedia përkatësisht me 8% e 7%. SHBA dhe Gjermani importuan 5% të prodhimeve bujqësore shqiptare ndërsa 40% vendet e tjera.

Eksportet shqiptare nisën kryesisht drejt Kosovës për t’u shtrirë sot drejt vendeve të lindjes e deri në shtetet më të zhvilluara perendimore e SHBA.

Gjatë një emisioni televiziv, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, (KASH) Agim Rrapaj u shpreh se, “sot rritja e eksporteve bujqësore shqiptare është realitet dhe kjo i adresohet, siç tha ai, disa faktorëve ndër të cilët më kryesori rimbursimi i TVSH-së me 20%”.

“Rritja e investimeve në sera, diversifikimi i varieteteve ku spikat një qasje më e mirë e prodhimit me kërkesat e tregut vendas dhe atij të huaj, certifikimi i prodhimit dhe rritja e mbështetjes financiare nga AZHBR, janë faktorët që kanë orjentuar fermerët drejt eksporteve”- tha Rrapaj.

Përsa i përket pesticideve, ai theksoi se kompanitë janë më të kujdesshme për vetëkontroll dhe kanë dyfishuar shpenzimet për emrin e kompanisë dhe për produkte cilësore.

Ejup Ahmeti, sipërmarrës nga Maqedonia e Veriut që operon në fushën e prodhimit dhe të eksporteve bujqësore, në Shqipëri, u ndal në interesin e shtuar të biznesit kosovar për të prodhuar në Shqipëri për eksport.

Ai solli në vëmendje rastin e kompanisë së tij, që në vitin 2006 importoi për herë të parë prodhime bujqësore nga Shqipëria, nga tregu i Lushnjes drejt Kosovës.

“Tregu nuk kishte hapësirë të përmbushte nevojat më të larta dhe erdhën disa kompani e hapën qendrat e tregtimit. Kishim njohuri nga vendet ish jugosllave, themeluam pikat e grumbullimit për produktet bujqësore. 2019 ishte një vit i mbarë, pati certifikim të fermerëve. Jemi kompania e parë në rajon që kemi rritur numrin e fermerëve. Prodhimet shqiptare eksportohen deri në Mbretërinë e Bashkuar. Shqipëria duhet të jetë më atraktive në eksportin e fruta-perimeve”, tha Ahmeti.

Në lidhje me pesticidet, ai u shpreh se, fermat janë nën kontroll pasi është një zinxhir kontrollues i caktuar që bën analiza dhe mbikqyerje të hedhjes së pesticideve.

“Analizat si kompani i bëjmë jashtë vendit. Kemi zinxhir kontrollues, të caktuar që bëjnë analiza dhe mbikëqyrje të hedhjes së pesticideve në vlera normale në sera. Nuk ka alarm, duhet të respektohet koha nga spërkatja deri tek vjelja e produkteve. Kemi një masë të madhe të produkteve të certifikuara. Në fillim nuk donin të dëgjonin për produktet shqiptare, dërguam produkte pa pagesë për t’i testuar. Fermerët janë heronj, punën e dytë e kryejnë grumbulluesit. Disa fermerë të papërgjegjshëm nuk investojnë në fermë, në ndihmën e tij. Produktet shqiptare janë padyshim me më shumë shije”, deklaroi Ahmeti. e.xh/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.