Dialogu Kosovë-Serbi/ BE-ja drejt caktimit të një Përfaqësuesi Special për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zv/President i Komisionit Europian zhvilloi të premten biseda telefonike me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në vijim të bisedimeve që ai zhvilloi me ta gjatë vizitës së tij të parë në Beograd dhe Prishtinë në janar.

Ai diskutoi me ta vendimin për të emëruar një Përfaqësues Special për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor. Përfaqësuesi i Lartë theksoi se ky emërim pasqyron rëndësinë që BE dhe ai personalisht i kushtojnë rajonit dhe stabilizimit të tij si dhe progresit të bërë në rrugën drejt BE-së. Josep Borrell kujtoi se ai mbetet personalisht i angazhuar dhe i përkushtuar fort në mbështetje të perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe në rolin e tij si ndërmjetës për të lehtësuar dialogun Beograd-Prishtinë.

Propozimi për Përfaqësuesin Special duhet të marrë miratimin e të gjitha vendeve të BE-së.

Bashkimi Europian ka qenë në rolin e lehtësuesit të dialogut në negociatat e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi të cilat i filloi në vitin 2011, por që u ndërprenë në vjeshtën e vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat 100% mbi produktet që vinin nga Serbia.

/P.S/R.E/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.