Sezoni turistik në Durrës/ Certifikim kategorizimit të hoteleve, lehtësi për bizneset e mjeteve lundruese

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/-  Ligji i propozuar nga qeveria për aktivitetet bregdetare është një perspektivë e re për turizmin detar. Kështu theksoi sot nga Golemi, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

I pranishëm në Komitetin Rajonal të Durrësit për Turizmin, ministri Klosi nënvizoi se nga viti i ardhshëm sezoni turistik do të jetë 12 mujor. Ai tha se hotelierëve i del për detyrë të kujdesen edhe për sistemin e mbetjeve urbane jo vetëm në zonën e sipërmarrjes por edhe për rreth saj. Klosi u kujtoi strukturave hoteliere se qeveria e Kryeministrit Edi Rama i ka ulur 6% TVSH-në, duke i ardhur në ndihmë këtij biznesi.

“Zona e plazhit duket e stabilizuar, bëhet fjalë për 10-ra miliona euro të investuara nga sektori privat. Për rajonin e Durrësit, ky do të jetë sezoni i fundit me një gjatësi katër mujore, pasi të tjerët me pas do të jenë 12 mujor. Sipas VKM, bashkitë duhet të bëjnë hartën e ndarjes së plazheve, privat, publik brenda 31 janarit dhe deri në fund të muajit mars lidhin kontratat me subjektet private. Që të mos na ndodhi si vitin e kaluar që kontratat vazhdonin të lidheshin deri në korrik, kur plazhet ishin mbipopulluar. Sezoni do të trajtohet i plotë nga muaji maj në shtator, ju hoteliereve ju del si detyrë të mirëmbani plazhet dhe të siguroni higjenën, pasi kështu do të siguroni raporte kontraktuale të mira me bashkitë.

“Së bashku me Ministrinë e Financave do të bëjmë regjistrimin e hoteleve që të kemi një data baze elektronik të plotë. E më pas për të shkuar te certifikimi i kategorizimit, ku qeveria e Edi Ramës ju lehtësoi duke ulur 6 % e TVSH-së. Data 31 mars është dita e fundit e lidhjes së kontratave dhe më pas do të çojmë ligjin e aktiviteteve e të bregdetit në parlament. Do krijojmë gjithë lehtësirat e mundshme që të krijohen bizneset e mjeteve lundruese jahteve, marinave, lojërave të detit dhe kjo është një perspektivë e re. Na duhet të trajtojmë mbetjet urbane”,- shtoi Klosi.

“Është e pafalshme që viti 2020 të na gjej me plehra anash rruge. Nuk mund t’ju kthehen investimet mbrapsht nëse ju pjesën para hotelit e keni të sistemuar dhe pas hoteli pirgjet me plehra. Anash rrugës janë krijuar gropa me plehra. Prandaj, duhet të marrim masa për të menaxhuar mbetjet urbane”-, përfundoi Klosi.

Në fund të takimit u shpërndanë certifikatat e kategorizimit, sipas të cilave subjektet përfitojnë lehtësira fiskale.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.