Propozimi i PD në këshillin politik të Reformës, Bylykbashi: Anëtarët e gjykatave zgjedhore, të mbrohen nga presioni i Vetingut

TIRANË, 19 shkurt /ATSH – I. Vata/ Përfaqësuesi ligjor i PD në tryezën për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi deklaroi se propozimi i opozitës për një trupë gjykuese të pavarur në procesin zgjedhor, është i domosdoshëm.

Bylykbashi theksoi se në takimin e sotëm pati një reagim shumë të fortë nga mazhoranca, e cila do të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat që të kapë gjyqësorin dhe të ushtrojë presion, përfshirë edhe mbi Kolegjin Zgjedhor. Ne këtë nuk do t’ia lejojmë. Gjykatat zgjedhore do të jenë të pavarura në Shqipëri”.

Përfaqësuesi i PD-së Bylykbashi pas takimit të Këshillit Politik, tha se e “drejta për t’iu drejtuar një gjykate është element themelor i procesit zgjedhor, i cili për fatin e keq të shqiptarëve, jo vetëm nuk u garantohet, por iu mohohet e drejta për t’u ankuar në gjykatë të pavarur, të paanshme dhe funksionale”.

“Raporti i OSBE/ODIHR konstaton me një kritikë të paprecedent se si nën presionin politik nga Vetingu, Kolegji Zgjedhor, Gjykata e Posaçme e krijuar mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit për të mbrojtur të drejtat zgjedhore ishte gjysmake në periudhën zgjedhore dhe ishte nën presionin e Vetingut dhe nuk ishte as e paanshme dhe as e pavarur. Jo vetëm kaq, por përsëri OSBE/ODIHR, konstaton me shqetësim thelbësor se si edhe Gjykata Kushtetuese, që duhet të garantojë të drejtat kushtetuese të procesit zgjedhor, sekretin e votës – i cenuar, lirinë e votës – e cenuar, barazinë e palëve në proces, të gjitha këto të drejta thotë ODIHR që të mbrohen para Gjykatës Kushtetuese, por ajo thjesht nuk ekziston”, tha ai.

Ai shtoi se: “Duke qenë se është një diskutim prioritar, duke qenë se pa një garanci gjyqësore, procesi zgjedhor nuk mund të jetë kurrë një proces në përputhje me standardet demokratike, kjo paketë sot nuk është një paketë e cila është vetëm për të vënë një kryq te lista e çështjeve, por është thelbësore për të arritur kompromisin për Reformën Zgjedhore”.

Pyetjes pse nuk propozohet që anëtarë të Kolegjit Zgjedhor të jenë anëtarë që e kanë kaluar Vetingun, Bylykbashi tha se “numri i gjyqtarëve  që kanë kaluar Vetingun është shumë i vogël. Është një proces i cili është thelbësisht problematik. Jemi në rastin e gjyqtarit Dvorani, i cili nuk justifikon 100 milionë lekë, e megjithatë askush nuk u kujtua të ankimonte, i cili më pas bëri të mundur këto që po ndodhin sot. Ky është mekanizmi i kapjes së Vetingut dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë”.

“Ajo që ne propozojmë është që të gjithë ata që nuk i janë nënshtruar ende procesit të Vetingut, të gjithë ata që e kanë mbaruar procesin e Vetingut, pra ata që nuk janë të zënë në kurth, të jenë gjyqtarët të cilët do të përzgjidhen me short dhe më pas për një periudhë të caktuar të mbrohen nga presioni politik, dhe në fund të procesit, kur të kenë mbaruar mandatin e tyre, t’i nënshtrohen të gjitha rregullave të kontrollit të Vetingut, në mënyrë që të jenë të pastër para shqiptarëve”, u shpreh Bylykbashi.

“Nga ana tjetër, askush as sot, as mot nuk do të jetë imun nga ndjekja penale për korrupsion apo çdo lloj krimi tjetër, pra në asnjë rast nuk i heq prokurorisë mundësinë për të çuar para drejtësisë të korruptuarit”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.