Propozimet e opozitës, Gjiknuri: Kemi dakordësi për disa çështje, por nuk mund të pezullohet Vetingu për një dispozitë të Reformës Zgjedhore

TIRANË, 19 shkurt /ATSH – I. Vata/ Përfaqësuesi ligjor i PS-së Damian Gjiknuri pas tryezës së sotme të këshillit politik të Reformës Zgjedhore, deklaroi se propozimi i PD për gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor të pavetuar, bllokon Vetingun dhe kjo është kundër parimeve kushtetuese.

“Diskutuam në lidhje me disa prej propozimeve të Partisë Demokratike për sistemin e ankimimit dhe sidomos formimin e Kolegjit Zgjedhor. Me keqardhje konstatoj se disa prej propozimeve kërkojnë rishikim sepse nuk mund të vënë në pikëpyetje të gjithë Reformën në Drejtësi apo të krijojnë një sistem “sui generis” që të jetë i imunizuar nga ajo çka po ndodh, pra nga Reforma në Drejtësi. Pra, ne jemi të gatshëm që të gjejmë kompromis por duke respektuar parimet kushtetuese dhe produktet e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Gjiknuri.

“Nuk duket normale që procesi i vetingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor. Nga ana tjetër, mendoj se mund të ishte më e arsyeshme që gjyqtarët që kanë kaluar Vetingun të jenë pjesë e procesit të përzgjedhjes për në Kolegjin Zgjedhor dhe këtu ne jemi dakord. Pra, duke e zgjeruar shkallën përtej Gjykatës së Apelit sepse ka një ngërç dhe një vështirësi në këtë drejtim. Ne jemi të hapur dhe nëse një pjesë kanë kaluar vetingun, pse të mos jenë ata shporta nga mund të zgjidhen anëtarët e Kolegjit. Megjithatë, unë e thashë se këto janë çështje që ne po i diskutojmë por nuk dua që propozimet e Partisë Demokratike të vënë në pikëpyetje çka është arritur me reformën në drejtësi apo të anashkalojnë atë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të ndaloj unë zbatimin e Kushtetutës për shkak të ligjit zgjedhor. Kjo është e pamundur. Kushtetuta ka përcaktuar detyrimin për të kaluar në proces vetingu të të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Atëherë nuk mund të pezullohet vetingu as me një dispozitë në Kodin Zgjedhor. A ka hapësira që të shikojmë brenda gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun por janë përtej Gjykatës së Apelit, duke përfshirë dhe Gjykatën e Shkallës së parë? Pse jo, le të jenë pjesë e përzgjedhjes. Besoj kemi një grup të mjaftueshëm për të zgjedhur një numër gjyqtarësh që nuk ka pse të shtohet. 8 siç kanë qenë, madje për mua mund dhe të pakësohen por nuk dua të paragjykoj procesin pasi është çështje negocimi”, sqaroi Gjiknuri.

Gjiknuri tha se për disa çështje është rënë dakord me opozitën.

“Ne diskutuam edhe në lidhje me çështje të tjera për të cilat jemi duke gjetur kompromis, siç janë shqetësimet e opozitës për rolin e Policisë së Shtetit, ku kemi ngarkuar ekspertët të gjejnë një formulë të përbashkët. Gjithashtu, në lidhje me propozimin që kishte Partia Demokratike në lidhje me sinjalizuesit dhe mbrojtjen që ata duhet të kenë nga autoritetet shtetërore. Edhe për këtë do ta gjejmë kompromisin. Pra, jemi duke progresuar për disa çështje, por nga ana tjetër siç e thashë, gjërat principale në lidhje me organizimin kushtetues dhe rendin kushtetues në këtë vend, ne nuk mund ti vëmë në pikëpyetje për shkak të disa shqetësimeve politike që ka një forcë e caktuar politike”, u shpreh Gjiknuri.

“Për shembull çështja e sinjalizuesve që e ka sjellë si propozim Partia Demokratike. Po e gjejmë kompromisin dhe do të adresohet tek ligji për sinjalizuesit. Çështja që lidhet me rolin e policisë. Disa propozime të Partisë Demokratike për rolin e policisë, raportimet, ruajtja e rendit publik rreth Qendrës së Votimit janë disa propozime që do t’i pranojmë me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, duke u dhënë zgjidhje brenda tyre. Pra, ka disa propozime që janë të karakterit garantues dhe teknik për më shumë transparencë dhe ne jemi të gatshëm që t’i pranojmë”, theksoi ai.

Në lidhje me paralajmërimet e Presidentit dhe ndikimi në Reformën Zgjedhore, Gjiknuri tha: “Unë besoj se Partia Demokratike është aty për të miratuar Kodin Zgjedhor në bashkepunim me ne dhe Parlamentin, pasi është Parlamenti ai që do ta miratojë atë. Kështu që nëse vërtet duan dhe kanë vendosur ti kthehen institucioneve, bënë shumë mirë që u ulën në tryezën e reformës. Besoj se thirrjet e Presidentit nuk duhet të ndikojnë dhe nuk ka përse Partia Demokratike të përfshihet në lojën e Presidentit”.

Në lidhje me propozimin e PD-së për qeveri tranzitore, Gjiknuri tha: “Nuk ka diskutim për qeveri tranzitore. Ato gjëra që nuk i arritën me “luftë” në rrugë nuk mund ti marrin me negociata në tavolinë. Pra, kjo është një çështje e ezauruar dhe është një çështje politike. Nuk ka lidhje me reformën zgjedhore çështja e qeverisë tranzitore apo kujdestare. Për mua është diçka e mbyllur dhe nuk e konsideroj si problem”.

Lidhur me rekomandimin e ODIHR për afatet, Gjiknuri tha se “ne jemi dakord dhe grupi teknik për reformën zgjedhore ka bërë propozimet përkatëse dhe nuk kemi ndarje në këtë drejtim. Shpresoj që opozita brenda javës tjetër të sjellë të gjitha propozimet dhe shqetësimet që ka edhe për çështjet e tjera. Dy apo tre javët e fundit ta shfrytëzojmë për gjetjen e kompromiseve për ato që janë të bëshme dhe për të lënë mënjanë ato që vërtet nuk realizohen e që janë propozime që nuk qëndrojnë as në raport me standardet e as me rekomandimet e ODIHR”.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.