Përfundon pezullimin 2-vjeçar, Skënderbeu rigjen liderin e mbrojtjes

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/-  Lajme të mira për vijnë për “Skënderbeun”, që ka rigjetur pas dy viteve pezullim mbrojtësin, Bajram Jashanica.

Lideri i mbrojtjes korçare, u dënua dy viteve më parë nga Federata Europiane e Futbollit (UEFA) me dy vite pezullim,  për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, përdorim që erdhi më shumë për një neglizhencë të stafit mjekësor përpara takimit në Europa League kundër “Young Boys”, dhjetorin e 2017-s, sesa për përgjegjësi drejtpërdrejt të futbollistit.

Tashmë ai ka mbyllur dënimin dhe pritet të jetë në dispozicion të teknikut Ilir Daja. “Skënderbeu” ndeshjen e radhës e ka në Korçë dhe përballë do të ketë “Teutën”, ndeshje e vlefshme për javën e 23-të të superligës dhe që luhet të shtunën ora 17:00.

“Skënderbeu” në këtë sfidë vjen pas barazimit 1-1 me “Tiranën” në kryeqytet.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.