PD: Dokumentet e publikuara nga Meta janë pa precedent

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/-  Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të nga Presidenti Ilir Meta, të disa dokumenteve me të cilat ai akuzoi mazhorancë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se dokumentet e bëra publike janë tronditëse.

“Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjësuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje”,- thekson Bardhi.

“Dokumentet e bërë publikë nga Presidenti janë tronditës. Qeveria boton në Fletoren Zyrtare një akt për llogari të KED-së, që sipas Kushtetutës është një institucion pa asnjë lidhje me Qeverinë. Është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend”,- përfundon Bardhi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.