”Mjekë për Shqipërinë”/ 140 u punësuan vetëm në janar dhe shkurt

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se 140 mjekë janë punësuar në dy muajt e fundit në qendrat shendetësore dhe spitale në gjithë vendin.

Këta mjekë janë punësuar në spitale dhe qendrat shëndetësore vetëm në muajt janar dhe shkurt.

Ministrja Manastirliu ka publikuar një fotografi me dr. Emildën, dr. Kristianën, dr. Oltën, dr. Elonën, dr. Klaudjan, dr. Eldën, dr. Ersidën, mjeket e reja që sapo i janë bashkuar stafit mjekësor të qendrave shëndetësore të Tiranës.

Manastirliu ftoi të gjithë studentët që kanë mbaruar Fakultetin e Mjekësisë të bëhen pjesë e sistemit shëndetësor publik me meritë përmes portalit.

Portali ”Mjekë Për Shqipërinë” është një portal që nuk hapet me faza, por do të jetë gjatë gjithë kohës i hapur për të plotësuar vendet e lira të punës me mjekë familjeje apo mjekë specialistë.

Secili mjek, i cili është i diplomuar dhe i licencuar mundet që të aplikojë përgjatë gjithë vitit në pozicione të cilat janë të shpallura apo do të shpallen rishtazi në mënyrë të vazhdueshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa procedurat ndiqen nga Operatori i Kujdesit Shëndetësor.

Vetëm gjatë vitit 2019 janë punësuar 316 mjekë në sistemin shëndetësor publik./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.