“Mësues për Shqipërinë”, Çifliku shpjegon për ATSH-në procedurën e aplikimit: Deri tani janë 6136 kandidatë në garë

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Z.Tosku/ Ditën e nesërme mbyllet faza e parë e aplikimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” për punësimin e kandidatëve të interesuar për të ushtruar profesionin e mësuesit.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Fiqiri Çifliku, përgjegjës i sektorit të burimeve njerëzore, shërbimeve dhe statistikave (Drejtoria e Arsimit Parauniversitar) në Tiranë tha se faza e aplikimit online mbyllet për dy ditë. Referuar shifrave zyrtare, deri më 19 shkurt rezultojnë të regjistruar 6136 kandidatë të ndarë sipas 4 rajoneve.

“Në fazën aktuale ne jemi në procesin e aplikimeve online dhe në procesin e dorëzimit të dosjeve fizike pranë drejtorive rajonale arsimore të arsimit parauniversitar, pranë 4 drejtorive që janë në territorin shqiptar. Faza e aplikimeve ka nisur që në 10 shkurt dhe faza e aplikimit online mbyllet për dy ditë, nesër është afati i fundit dhe çdo kandidat ka mundësi të aplikojë online. Nga shifrat që ne marrim çdo ditë nga Rrjeti Akademik Shqiptar për numrin e aplikimeve, na rezulton në total që deri ditën e djeshme janë regjistruar 6136 kandidatë të ndarë sipas 4 rajoneve. Kështu që, numri është inkurajues dhe shpresojmë që këtë vit të kemi prurje të mira, cilësore për të plotësuar të gjitha vendet vakante që do të na krijohen gjatë 2020-2021. 6496 aplikantë që kanë qenë në portal, këtë vit pa përfshirë arsimin parashkollor janë punësuar 1955 kandidatë të portalit me kontrata provizore apo me kontrata definitive”, – u shpreh ai.

Por, cila është procedura që duhet të ndjekë kandidati për të aplikuar dhe çfarë dokumentesh i duhet të dorëzojë pas regjistrimit në portal?

Çifliku informoi se: “Kandidati që duhet të hyjë në portal, këtë vit duhet me patjetër të aplikojë online. Nëse nuk ezauron fazën e aplikimit online, atëherë nuk ka mundësi që të renditet në listat e konkursit. Faza e dytë është dorëzimi i dosjes fizike. Kemi disa kategori që aplikojnë këtë vit. Janë kategoritë e kandidatëve që kanë marrë pjesë në portalin e kaluar, por që këtë vit dëshirojnë të mbajnë pikët e dosjes dhe pikët e testimit, sepse konkursi në portalin “Mësues për Shqipërinë” ndahet në dy faza. Kemi dy elementë: vlerësimi i elementëve të dosjes për arsimimin, notën mesatare, dëshmitë e gjuhës së huaj, certifikata kualifikimi, certifikata me kreditë që ka përfituar mësuesi dhe pjesa tjetër, pjesa më e madhe e grumbullimit të pikëve, janë pikët e testimit. Sigurisht që, ka kandidatë që janë të listuar dhe dëshirojnë të mbajnë ato pikë, zgjedhin opsionin kur futen në sistem dhe këtu kemi një model të aplikimit online ku kandidati logohet me kredencialet e veta dhe zgjedh zyrat arsimore ku kërkon të aplikojë. Kandidati ka të drejtë të aplikojë në 3 zyra. Aplikimin e bën nga çdo pajisje teknologjike, qoftë edhe celular, nuk kërkon impenjim të madh”.

Çifliku e cilësoi portalin “Mësues për Shqipërinë” si një ndër instrumentet më të mira në sistemin arsimor shqiptar, për t’i dhënë mundësi çdo kandidati që në bazë të performancës dhe aftësisë së vet, gjatë dy fazave të aplikimit të marrë vendin e punës që meriton.

“Një listë me dokumente gjendet në udhëzimin nr. 13. Janë disa elementë të detyrueshëm si shtojca nr. 4, raporti mjeko-ligjor, vërtetim i gjendjes gjyqësore që gjendet po tek udhëzimet dhe është po individual, vërtetim i qendrës së banimit, kopje e librezës së punës, kopje të njehsuara të diplomave. Dua të ndaj këtu diçka të veçantë. Që të aplikosh në portal, duhet të plotësosh kriteret për të qenë mësues sipas ligjit 69, 2012, neni 57 ku përcaktohet edhe se çfarë niveli arsimor duhet të ketë një kandidat që të ushtrojë profesionin e mësuesit. Pasi merren të gjitha aplikimet që janë kryer online dhe dosjet që kanë mbërritur zyrtarisht nëpër zyra, janë ngritur disa komisione teknike që merren me vlerësimin e dosjeve për të nxjerrë pikët për çdo element që përcakton udhëzimi. Në përfundim të gjithë procesit, hartohen listat përfundimtare përcaktohet edhe formula e testimit të informatizuar. Portali “Mësues për Shqipërinë” është një ndër instrumentet më të mira të vendosur në sistemin arsimor shqiptar, për të dhënë drejtësi, për t’i dhënë mundësi çdo kandidati që në bazë të performancës, në bazë të aftësisë së vet, rezultateve gjatë dy fazave të aplikimit të marrë vendin që meriton”, – u shpreh ai.

Çifliku vuri në dukje se ka mungesa mësuesish në profile: mësues të ciklit të ulët, arsimit special si dhe në profile shkencore kryesisht në zonat e thella.

“Nga viti aktual kemi vënë re që ka mungesa në zonat e thella por edhe në Tiranë, Durrës, Shijak, Vorë, që janë në zemër të Shqipërisë të profileve: arsim fillor, arsim special apo të lëndëve shkencore, kryesisht të Teknologjisë së Informacionit. Ndoshta është një fushë që kërkohet në treg dhe ka mungesa të mësuesve për këto profile. U bëj thirrje të gjithë kandidatëve që zotërojnë një diplomë dhe plotësojnë kriteret për të qenë mësues në këto profile, të aplikojnë për këto zona”, – tha ai.

Në përfundim të gjithë procesit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, ka kandidatë të cilët fitojnë vendin e punës por nuk njoftojnë pranimin e vakancës brenda 24 orëve, ç’ka i bën ata që të humbasin vendin e punës së fituar.

“Na ka ndodhur shpesh që u dërgojmë njoftim kandidatëve dhe brenda 24 orëve presim përgjigje prej tyre, nuk na vjen kjo përgjigje edhe pse kandidatët kanë dëshirë të punojnë. U bëjmë thirrje kandidatëve që brenda 24 orëve duhet të konfirmojnë që e pranojnë vendin e punës”, – bëri apel Çifliku.

“Ky portal bëhet më herët këtë vit. Vitin e kaluar është bërë gati gjatë periudhës së verës. Sivjet për të pasur listën gati ditën e parë të fillimit të procedurave, ky portal bëhet gati për shtatorin që vjen. Pra, deri në përfundim të këtij viti, të gjitha punësimet do të bëhen nga lista e portalit aktual”, – sqaroi ndër të tjera ai. /z.tosku/a.fortuzi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.