Mbylli dosjen e privatizimit të CEZ/ Eksperti ligjor i OSHEE kallëzon në SPAK gjyqtarin e çështjes

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/-Eksperti ligjor i OSHEE, Romeo Kara ka kallëzuar në SPAK gjyqtarin Lazër Sallaku, i cili vendosi pushimin e hetimeve për dosjen e privatizimit të CEZ.

Kara pretendon se gjyqtari Sallaku, me mbylljen e dosjes cenoi sigurinë juridike duke shpërdoruar hapur detyrën e tij. Nga kallëzuesi kërkohet sekuestrimi i të gjithë dosjes së çështjes, hetimi i saj dhe si procedurës së ndjekur deri tani si dhe i vendimit të pushimit të çështjes në 24 janar 2020.

Gjyqtari Lazër Sallaku vendosi që të mbyllte dosjen CEZ në datë 24 janar, ndërsa Kuvendi e ankimoi në apel në 7 shkurt. Hetimet për procedurën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga kompania çeke ‘CEZ’ në vitin 2007, nisën në vitin 2016, duke dërguar përpara organit të akuzës një numër të lartë zyrtarësh të cilët u morën në pyetje, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Berisha. Kjo solli edhe ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar i drejtuar nga deputeti socialist, Taulant Balla, i cili në finale të tij arriti në konkluzionin se nga procedura e privatizimit shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 414 milionë eurosh. Por dosja e paraqitur në Gjykatë u rrëzua nga gjyqtari Sallaku dhe në kudër të këtij vendimi, eksperti ligjor i OSHEE, Romeo Kara ka kallëzuar në SPAK gjyqtarin dhe ka reaguar, duke theksuar se beson tek fitorja e të mirës ndaj të keqes.

“Unë besoj plotësisht tek ajo që bëj dhe tek fitorja e se mirës përballe së keqes, e drejtësisë përballë padrejtësisë dhe tek një e ardhme dinjitoze në atdheun tonë të mohuar dhe kthimin e shpresës dhe progresit”,- thekson Kara në njoftimin e tij për mediet.

“Midis nesh dhe të ardhmes sonë dinjitoze qëndron klani i zi i hajdutëve të politikës, krimit, oligarkisë dhe medies servile të cilët si një grup i strukturuar kriminal, po zhvatin ç’të mundin dhe po mbajnë peng Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

“Pjese e këtij klani dhe grupi të strukturuar kriminal është edhe gjyqtari Lazër Sallaku i cili me vendimin e tij të pushimit të çështjes 7340/2017, qe lidhet me privatizimin e OSSH-së, cenoi sigurinë juridike duke shpërdoruar hapur detyrën e tij, duke pranuar si të ligjshëm një cilësim të gabuar të veprave penale dhe mungesën të plotë të hetimit. Ky gjyqtar, në mënyrë flagrante, nuk konstatoi shkeljet e shumta ligjore të parashtruara nga unë në kallëzimin përkatës penal. Duke e kallëzuar këtë gjyqtar për shpërdorimin e detyrës, ne sot i japim mundësinë SPAK-ut, që të shpreh integritetin e tij dhe të justifikojë besimin që i është dhënë. Ky kallëzim është vetëm hapi i radhës por jo i fundit. Beteja vazhdon”,- përfundon Kara.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.