Rehabilitim territorit dhe shtegut të kishës së Shën Mërisë në ishullin e Maligradit

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Këshilli Kombëtar i Restaurimit ka miratuar projektin e restaurimit “Rehabilitimi i territorit dhe i shtegut – Kisha e Shën Mërisë”, ishulli Maligrad.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë parashikon ndërhyrje rehabilituese të territorit dhe të shtegut drejt kishës së Shën Mërisë.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Ky projekt parashikon promovimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Prespës.
Kisha e Shën Mërisë ndodhet në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit. Kisha e Shën Mërisë e shekullit XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kollona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit.

Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.