Pritshmëritë e SHBA, Kim: Udhëheqësit të sillen në mënyrë të përgjegjshme në të mirë të popullit shqiptar

TIRANË, 19 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim tha sot se është takuar me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e PD Lulzim Basha për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e SHBA.

Përmes një deklarate, Ambasada e SHBA-së në Shqipëri e ka vënë theksin të zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara në lidhje me udhëheqësit politikë.

“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit”, shprehet ambasadorja.

“Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi. Përveç Konferencës së Donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, thuhet në deklaratë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.