Platforma “Shtëpia ime”/ Bashkia e Rrogozhinës, apel qytetarëve për të aplikuar

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Bashkia e Rrogozhinës i ka bërë apel familjeve të cilëve u është dëmtuar banesa e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit, që të aplikojnë sa më parë në platformën “Shtëpia ime”.

Të gjithë qytetarët e bashkisë Rrogozhinë që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntor 2019 të paraqiten pranë bashkisë Rrogozhine për të kryer aplikimin online. Banorët e Rrogozhinës mund të paraqiten pranë njësive të tyre administrative për të kryer aplikimin online.

“Qytetarët e Rrogozhinës të paraqiten pranë bashkisë Rrogozhinë tek Zyra e Keshillit Bashkiak për të aplikuar. Njësia Administrative Gosë aplikohet pranë Komunes Gosë. Njësia Administrative Kryevidh aplikohet pranë Komunës Kryevidh. Njësia Administrative Lekaj aplikohet pranë Komunës Lekaj. Njësia Administrative Sinaballaj aplikohet pranë Komunës Sinaballaj. Afati i fundit për aplikim është data 28 shkurt 2020”, -informon bashkia e Rrogozhinës.

Pas fazës së parë, pra të aplikimit do të nisë procedura nga stafi për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për të kaluar më pas në fazën e përfitimit.

“Shtëpia ime” – Platforma online për qytetarët e prekur që do të përfitojnë nga Programi i Rindërtimit garanton një procedurë transparente për këdo që humbi strehën nga tërmeti i 26 nëntorit dhe do të kthehet në një banesë më të mirë se ajo që shkatërroi tërmeti. zina tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.