Parku fotovoltaik i Karavastasë/ 20 investitorë të huaj deri tani në garë

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Investitorë të huaj po shtojnë interesin për të marrë pjesë në garën për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, një prej investimeve më të rëndësishme në vendin tonë që kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bën të ditur se, ndonëse duhet edhe një muaj kohë (16 mars 2020) nga data për mbylljen e afatit të dorëzimit të ofertave, më shumë se 20 kompani nga e gjithë bota kanë hyrë në garë deri tani për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë.

Interesi i investitorëve të huaj po rritet, për t’u bërë pjesë e këtij investimi të rëndësishëm në sektorin e energjisë së rinovueshme, që shënon një hap të ri zhvillimi në Shqipëri, me ngritjen e Parkut fotovoltaik të Karavastasë.

Parku fotovoltaik i Karavastasë do të ketë një fuqi të instaluar prej 140 MW, ndërsa vlera e investimit për këtë vepër energjetike përllogaritet në mbi 100 milionë euro. Referuar masave lehtësuese, për 70 MW shteti do të garantojë blerjen e energjisë dhe 70 MW të tjerë do të mund të tregtohen në treg të lirë. Fituesi i ankandit do të përcaktohet pikërisht nga ofertat që do të paraqesë për çmimin me të cilin qeveria do i blejë energjinë, ndërsa çmimi tavan është 55 euro/MW.

Referuar afateve të shpallur, ministria planifikon që deri në datën 8 maj të ketë mbyllur të gjithë procedurat e nevojshme dhe të ketë lidhur kontratën me investitorin. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.