TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ “Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kryesore të Kryesisë shqiptare të vitit 2020”, deklaroi Kryetari i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Igli Hasani në takimin e parë përgatitor të Forumit Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së për vitin 2020, që u mbajt në Vjenë.
Takimi u përqendrua në kundërveprimin e korrupsionit duke përmirësuar të kuptuarit se si teknologjitë e reja ndikojnë në qeverinë dhe zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Pothuajse 200 ekspertë, përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në OSBE, bizneset dhe komunitetet akademike dhe shoqëria civile diskutuan përfitimet e dixhitalizimit dhe rritjen e transparencës, dhe inovacionin në qeverisjen e mirë, në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
“Lufta kundër korrupsionit është një nga çështjet më të ngutshme në shoqëritë tona dhe një nga prioritetet kryesore të Kryesisë shqiptare të vitit 2020,” tha Kryetari i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Igli Hasani.
“Nëse parandalojmë dhe luftojmë me sukses korrupsionin, ne do të arrijmë sukses në adresimin e shumë sfidave të tjera me të cilat përballen shoqëritë tona – nga varfëria, pabarazia, paqëndrueshmëria dhe mungesa e besimit në institucione deri në degradimin e mjedisit dhe ndryshimin e klimës,” theksoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger tha se, është thelbësore të adresohet lidhja midis teknologjisë dhe sigurisë.
“Shoqëritë dhe ekonomitë tona janë duke kaluar një ndryshim të shpejtë dhe transformues teknologjik. Revolucioni dixhital ka efekte të gjera se si ne punojmë, jetojmë dhe bashkëveprojmë me njëri-tjetrin. Ne duhet të zhvillojmë një dialog midis institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe qytetarëve të thjeshtë – dhe së bashku të gjejmë mënyra për të bllokuar praktikat korruptive”, u shpreh ai.
Koordinatori i aktiviteteve ekonomike dhe mjedisore të OSBE-së, Vuk Žugić, tha se, dixhitalizimi dhe inovacioni teknologjik po riformojnë sistemet dhe shoqëritë ekonomike. Ai shtoi se qeverisja e mirë, masat antikorrupsion, përgjegjësia sociale dhe arsimi janë thelbësore për promovimin e paqes dhe sigurisë, forcimin e bashkëpunimit dhe në fund të fundit stimulimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse në zonën e OSBE-së.
Pjesëmarrësit ranë dakord se është e rëndësishme të merren parasysh implikimet e sigurisë së dixhitalizimit në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të përcaktohet se si organizatat ndërkombëtare, si OSBE, mund të kontribuojnë më së miri në menaxhimin e këtij procesi.
Takimi i Dytë Përgatitor do të zhvillohet në 27 dhe 28 maj në Tiranë dhe Takimi Përfundimtar në 10-11 shtator në Pragë.
/gj.mima/
