60-vjetori i qytetit të Gramshit, koncert në Pallatin e Kulturës “Thoma Prifti”

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Në kuadër të 60-vjetorit të Gramshit-qytet, në Pallatin e Kulturës “Thoma Prifti” u mbajt koncerti i Orkestrës dhe Korit të “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”.

Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe tha se “një tjetër surprizë dhe privilegj për qytetin e Gramshit, në këtë 60-vjetor, ishte dhe koncerti i Orkestrës dhe Korit të “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”, të cilët dhanë shfaqje në pallatin e kulturës “Thoma Prifti”. Kjo surprizë sigurisht që nuk do ishte e mundur pa ndihmën dhe kontributin e dy bijve të qytetit, tenorit Armaldo Kllogjri dhe dirigjentit të korit dhe orkestrës Dritan Lumshi, të cilët dhuruan emocione gjatë performancës”.

Mes duartrokitjeve nga të gjithë pjesëmarrësit, dy artistëve iu dha edhe titulli “Qytetar Nderi”, për të gjithë kontributin e dhënë për qytetin në fushën e artit dhe kulturës.

Prej vitit 1960, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, fshati Gramsh u shpall qytet.

/z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.