TURQI – Dy urat e Stambollit dhe kulla në Ankara ndriçohen me ngjyrat e flamurit të Kosovës

STAMBOLL, 18 shkurt /ATSH-AA/ – Në kuadër të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dy urat në Stamboll, “Fatih Sultan Mehmet” dhe “Yavuz Sultan Selim”, si dhe kulla në Ankara u ndriçuan me ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Në ditë të rëndësishme, urat në Stamboll ndriçohen me ngjyra dhe drita, ndërsa me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ato u ndriçuan nga ngjyra e kaltër, e bardhë dhe e verdhë e flamurit të Kosovës.

Ky ndriçim i realizuar nga Drejtoria e Menaxhimit të Energjisë së Bashkisë Metropolitane të Stambollit (IBB), vazhdoi deri sot në mëngjes.

Po ashtu edhe kulla e lartë e komunikimit dhe vëzhgimit “Atakule” në Ankara, u ndriçua me ngjyrat e flamurit kosovar me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Në “Atakule”, që ndodhet në rajonin Çankaya të kryeqytetit, u shfaqën shkrimet “Republika e Pavarur e Kosovës”, në gjuhën turke dhe angleze. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.