Presidenca paralajmëron disa dekrete, Meta: Parlamentin do e shpërndajë populli

TIRANË, 18 shkurt /ATSH – I. Vata/- Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se do ketë disa dekrete, të cilat sipas asaj që përcjell zëdhënësi Tedi Blushi, “do të shpartallojnë grushtin e shtetit”.

Presidenti Meta paralajmëroi shpërndarjen e parlamentit.

“Parlamentin do e shpërndajë populli. Presidenti vetëm do zbatojë vullnetin e tij. Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij”, shprehet zëdhënësi i Presidenti Tedi Blushi.

Po ashtu, sipas zëdhënësit Blushi dekretet e presidentit Meta që pritet të lëshohen do t’i zbatojë populli.

“Do ketë disa dekrete për shpartallimin e grushtit të shtetit. Bëni durim! Dekretet do t’i zbatojë populli shqiptar!” , u shpreh Blushi.

Presidenti Ilir Meta thirri më herët një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të cilin, sipas njoftimit të zëdhënësit, e njohu me “skandalet e fundit antikushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.