FOTO/ Parku Kombëtar i Valbonës, potenciale të jashtëzakonshme për turizëm gjithëvjetor

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/- Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një vizitë në Parkun Kombëtar të Valbonës, ku promovoi turizmin dimëror si dhe një paketë të re turistike, atë të shijimit të Valbonës nga helikopteri dhe bërjes së skive në pistat e krijuara në kurrizet e maleve.

“Jemi sot në Valbonë për një arsye krejt të veçantë, për të promovuar një biznes të ri, në vendin tonë, që është biznesi i skive me helikopter, edhe është një biznes shumë interesant, një promovues i jashtëzakonshëm i zonës së Valbonës dhe Alpeve shqiptare. Një biznes i cili realisht hyn në kategorinë e bizneseve shumë të shtrenjta, por që është një biznes, një dimension krejt i ri për këtë vend. Duam shumë që Valbonën dhe Alpet e Shqipërisë t’i promovojmë si një bukuri të rrallë natyrore por dhe si një mundësi për të bërë turizëm në 12 muajt e vitit”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Gjithashtu, ai bisedoi me drejtuesit lokalë dhe operatorët turistikë mbi problematikat që ata hasin në këtë zonë ku turizmi mund të zhvillohet jo vetëm në dimër, duke ushtruar sportet e dëborës, por dhe në pranverë dhe verë, pra turizëm gjithëvjetor.

“Së bashku me kryetarin e Bashkisë dhe drejtues të institucioneve të mjedisit dhe turizmit, së bashku me operatorët turistikë, sot do të bëjmë një takim për të administruar problematikat e Valbonës dhe të gjithë kësaj lugine për tu afruar si një destinacion 12-mujor dhe me një kapacitet të jashtëzakonshëm dhe potencial të madh turistik. Kush i ka parë këto vende gjithmonë mahnitet, prandaj i ftojmë qytetarët që t’i vizitojnë këto dhe padyshim do të gjejnë një strukturë hoteliere dhe një shërbim të jashtëzakonshëm, përveçse natyrën e bukur, që e ka bërë vetë perëndia”, tha ministri Klosi. Në fund, ministri Klosi shpërndau për subjektet e hotelerisë, certifikatat e kategorizimit, në bazë të të cilave ata mund të përfitojnë dhe 6% ulje të TVSH-së. /af/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.