Operacioni “Forca e Ligjit”, Lleshaj nga Elbasani: Përshkallëzim i intensitetit të punës

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/- Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha sot nga Elbasani, në përgjigje të interesimit të medias se operacioni Forca e Ligjit” tashmë ka filluar aktivitetin në të gjithë Shqipërinë, por është ende në hapat e parë, pra në fazën fillestare.

Ai paralajmëroi se do të ketë përshkallëzim të intensitetit të punës dhe të angazhimit të operacionit, në Elbasan dhe kudo tjetër. “Nuk ka ndonjë objektiv selektiv, për arsye se i gjithë rrethi i personave që përfshihen nga ligji tashmë janë të përcaktuar nga vetë ligji”,- tha Lleshaj.

“Në qytetin e Elbasanit dhe në të gjithë Shqipërinë operacioni do të vazhdojë me intensitet të shtuar në mënyrë që të arrihet që brenda vitit, pra brenda afatit ligjor të përfundojë edhe adresimin e të gjithë personave që janë subjekt i këtij ligji”,- theksoi ministri Lleshaj.

“Sekuestrimi sipas këtij ligji të sapomiratuar duhet të bëhet në dy rrugë, ose në kushtet e emergjencës që bëhet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në dijeninë time nuk ka në Elbasan ndonjë rast në kushte të emergjencës, ndërkohë që sekuestrimi normal sipas ligjit bëhet në bazë të vendimit të gjykatës së posaçme. Do kohën e vet gjykata për të marrë vendimin”,- tha ministri.

Sa i takon administrimit të pasurive të sekuestruara, ministri Lleshaj tha se “administrimi nuk i ka kaluar ende Ministrisë së Brendshme, pritet t’i kalojë në të ardhmen e shpejtë përmes një ndryshimi ligjor. Ligji parashikon që pasuritë që do të konfiskohen për shkak të këtij ligji, do të kalojnë kryesisht për interes publik. Pra, destinacioni i tyre do të jetë interesi publik”,- shtoi Lleshaj.

“Agjencia përkatëse e administrimit të aseteve, e cila parashikohet të kalojë te MB, do të ketë detyrë që të administrojë në funksion publik. Kur them funksion publik, besoj e kuptoni, shkolla, Qendra Shëndetësore, Komisariat policie etj”,- theksoi ministri i Brendshëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.