Superliga/ “Kukësi” nuk përfiton nga barazimi i “Tiranës”, “Partizani” triumfon në Laç

TIRANË, 17 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/-  “Kukësi” kryesues nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj “Bylisit” në Ballsh duke mos përfituar nga barazimi i “Tiranës” në ndeshjen e luajtur të shtunën ndaj “Skënderbeut” në kryeqytet. Nga barazimi i dy kryesueseve ka përfituar vetëm “Partizani” që ka arritur të fitoi në transfertën e “Laçit” me rezultatin 3-1, duke ngushtuar kështu diferencën me dy kryesueset e superligës shqiptare të futbollit.  Java e 22-të ka sjell dhe fitoren e “Teutës” së Durrësit në “Niko Dovana” përballë “Vllaznisë” së Shkodrës.

Kukësi ishte i pafat në transfertën ndaj Bylisit në Ballsh, pasi “flirtoi” me fitoren deri në minutën e 92-të, ku një pakujdesi e mbrojtjes u shfrytëzua maksimalisht nga sulmuesi Mozzone, që mposhti Xhikën dhe u hoqi dy pikë verilindorëve. “Bylisi” u përpoq të marrë kontrollin e lojës, duke luftuar fort për çdo top, por eksperienca e kuksianëve dallonte qartë, pasi ishin pikërisht djemtë e Shpëtim Duros, që shfaqeshin më rrezikshëm në zonën kundërshtare. Pikërisht nëpërmjet një zbritjeje të shpejtë, ishte mbrojtësi i majtë Emiliano Musta, që pasi u shërbye mbi vijën e 16 metrave, lëshoi një gjuajtje të fortë, që u ndal vetëm nga rrjeta e portës së Hidit, me gardianin mallakastriot që nuk pati asnjë shans të reagonte. Pjesa e dytë ishte njësoj si e para me “Bylisin” më kërkues, por me “Kukësin” që shfrytëzonte kundërsulmet. E pikërisht kur pritej vërshëllima finale e arbitrit kryesor të takimit, një shpërqendrim në mbrojtje i kuksianëve, u kushtoi shtrenjtë atyre, pasi sulmuesi uruguaian Mozzone u tregua i saktë dhe shënoi golin e barazimit.

Të kuqtë ia dolën të marrin një tjetër 3-pikësh në transfertën e vështirë ndaj “Laçit”. Pas tre golave të shënuar në mesjavë në Kupë, Bruno Telushi ishte sërish protagonist në ndeshjen e sotme, pasi shënoi dy herë ne portën e Laçit, ndërsa emrin në listën e golshënuesve e shënoi edhe mbrojtësi Bitri. Nga ana tjetër “Laçi”, që kaloi i pari në avantazh me Xhixhën, del me zero pikë nga kjo sfidë.

Në “Niko Dovana” durrsakët e Edi Martinit u rikthyen te fitorja në kampionat. Ishin shkodranët që kaluan të parët në avantazh me Gurishtën që përfitoi nga një top i mbetur në zonë pas një tentative të Gilman Likës nga goditja standarde dhe pritjes së Frashërit. Por avantazhi i “Vllaznisë” nuk zgjati shumë pasi në minutën e 24-të Rustem Hoxha u gjend në vendin dhe në kohën e duhur duke barazuar rezultatin. Në fundin e pjesës së parë,Todorovski kaloi “djemtë e detit” në epërsi, ndërkohë që vetëm pak sekonda pasi kishte filluar pjesa e dytë “Teuta” trefishoi shifrat duke vulosur fitoren me golin e Lorenco Vilës.

Klasifikimi pas javës së 22-të të superligës:  Kukësi 42 Pikë, Tirana 41,Partizani 37, Teuta  35, Bylisi 33, Laçi 32, Skënderbeu 29, Vllaznia 28, Luftëtari 13, Flamurtari  9 pikë.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.