Shpenzimet konsumatore dhe investimet, faktorë rritjeje në ekonomitë e rajonit

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/- Ekonomitë e vendeve të rajonit kanë shfaqur rritje më të lartë në tremujorin e tretë të vitit 2019 krahasuar me një tremujor më parë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar së fundi mbi politikën monetare.
Mbështetësit e rritjes kanë qenë kryesisht shpenzimet konsumatore dhe investimet, të cilat përbëjnë pjesën kryesore të kërkesës agregate. Normat e papunësisë kanë shfaqur një trend rënës në të gjitha ekonomitë e rajonit.
Tremujori i katërt duket se do të vijojë të ruajë ritme të ngjashme rritjeje ekonomike në të gjitha vendet. Rreziqet rreth pritjeve për perspektivën ekonomike të vendeve të këtij rajoni janë të vendosura në kahun e poshtëm dhe lidhen në pjesën më të madhe me  ngadalësimin e Eurozonës, partnerit kryesor tregtar.
Sipas të dhënave të BSH-së, ekonomia e Kosovës përshpejtoi rritjen ekonomike në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, e ndihmuar nga rritja e fortë e shpenzimeve qeveritare dhe zgjerimi i shpenzimeve konsumatore. Ngadalësimi i investimeve dhe i eksporteve neto
ka ndikuar në mënyrë negative rritjen ekonomike.
Rritja e aktivitetit ekonomik në Serbi, në tremujorin e tretë të vitit 2019 u mbështet me bazë të gjerë. Rritja e fortë e investimeve është shoqëruar nga përmirësimi i shpenzimeve
konsumatore e atyre qeveritare dhe nga përshpejtimi i eksporteve neto.
Rritja e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut është mbështetur nga ecuria pozitive
e shpenzimeve konsumatore e qeveritare dhe nga rritja e fortë e investimeve,
ndërsa ngadalësimi i eksporteve ka ndikuar negativisht në ritmin e rritjes
agregate.
Ekonomia e Turqisë u rikthye në rritje pozitive vjetore në tremujorin e tretë të vitit 2019, pas tre tremujorësh tkurrjeje ekonomike. Kjo rritje u ushqye nga rritja e shpenzimeve konsumatore dhe atyre qeveritare, ndërsa tkurrja e investimeve dhe ecuria e dobët e eksporteve neto ndikuan negativisht rritjen ekonomike. e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.