Ruçi uron Osmanin për pavarësinë e Kosovës: Shqiptarët, mirënjohës aleatëve strategjikë, SHBA-BE

TIRANË, 17 shkurt /ATSH – I. Vata/- Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, uroi sot kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ju uroj nga zemra këtë ditë të shënuar për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Pavarësia e Republikës së Kosovës është realizimi i aspiratave të vëllezërve kosovarë për të pasur shtetin e tyre demokratik, për të vendosur për të ardhmen e vet dhe për të kontribuar në zhvillimin,  mirëqenien, paqen dhe sigurinë e Republikës së tyre dhe në rajon e më gjerë. Pavarësia e Republikës së Kosovës u arrit me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificat e qytetarëve si edhe jetët e mijëra dëshmorëve të saj, të cilët shqiptarët, kudo ku jetojnë, do t’i kujtojnë e nderojnë përjetësisht”, u shpreh ai.

“Pavarësia e Republikës së Kosovës është rezultat edhe i mbështetjes së pashembullt të aleatëve të mëdhenj të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Lufta për pavarësinë e Kosovës ishte një luftë unike për të mbrojtur vlerat dhe për të sjellë e garantuar paqen në Kosovë e në rajon”, theksoi Ruçi.

“Të gjithë shqiptarët u jemi mirënjohës aleatëve tanë strategjikë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe kjo mirënjohje shprehet e konkretizohet në bashkëpunimin e partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe të së ardhmes së Republikës së Kosovës si edhe paqes, sigurisë e stabilitetit në rajon”, përfundoi Ruçi.

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.