Negociatat me BE/ “The Guardian” citon Ramën: Nuk jemi në atë proces sepse duam t’u pëlqejmë njerëzve në Berlin, Paris ose Hagë

TIRANE, 17 shkurt /ATSH/ –  Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i uli pritshmëritë për një përparim të afërt në bisedimet e anëtarësimit me BE, ndërsa e krahasoi vendin e tij me një të dashur të braktisur, shkruan Jennifer Rankin e ”The Guardian”.

Udhëheqësit e BE pritet të diskutojnë në mars nëse do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që Franca kryesoi grupin kundër hapjes së procesit të pranimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, tetorin e kaluar.

“Ju lutemi mos flisni për marsin”, u kërkoi Rama gazetarëve duke iu referuar samitit të ardhshëm të liderëve të BE.

Rama ishte në Bruksel, ku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të donatorëve, që arriti të mbledhë 1,15 miliard euro për të rindërtuar shtëpitë dhe infrastrukturën, të shkatërruara nga tërmeti i nëntorit të kaluar, që shkaktoi 51 viktima në Shqipëri.

Ai e përshkroi rezultatin si “magji” dhe “jashtëzakonisht të mahnitshëm”, pasi më parë kishte sugjeruar se Shqipëria mund të mblidhte vetëm 40 % të 1,08 miliard eurove  të nevojshme për rindërtimin e banesave për të paktën 17 000 njerëz të mbetur pa shtëpi, pas tërmetit me magnitudë 6,4 në perëndim të vendit.

Duke theksuar “ne do të jemi shumë, shumë, shumë mirënjohës” për çfarëdo shume që do të arrihet, ai shtoi: “E kemi mësuar nga përvojat e gabuara se s’duhet të kemi pritshmëri të larta nga BE-ja e sotme.”

Duke përshkruar vendimin e BE për të vënë veton në bisedime si një “tërmet politik”, një muaj para ngjarjes së vërtetë sizmike, ai këmbënguli se vendi i tij kishte bërë gjithçka që ishte e nevojshme për të filluar bisedimet e pranimit. Por Franca, Danimarka dhe Holanda nuk ishin të bindura duke hedhur poshtë një vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian mbi përparimin e Shqipërisë në trajtimin e krimit të organizuar dhe fillimin e reformave gjyqësore.

Ai tha se vendi i tij ishte shndërruar në një “dëm kolateral” për shkak të “përplasjeve” brenda BE-së, duke përmendur vështirësitë e bllokut me shumicat e dobëta, partitë anti europiane dhe populizmin.

“Kjo është e padrejtë, por është ajo që është,” tha ai.

“Ne nuk jemi në atë proces sepse ne duam t’u pëlqejmë njerëzve në Berlin, Paris ose Hagë ose kudo tjetër, por sepse ne kemi nevojë për të, për vendin tonë dhe fëmijët tanë”, thotë Rama./ervo/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.