Maqedonia e Veriut, 6 milionë dinarë për procesin e Rindërtimit në Shqipëri

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Maqedonia e Veriut dhuroi 6 milionë dinarë si ndihmë fillestare për procesin e rindërtimit në Shqipëri.

Në Konferencën e Donatorëve që po zhvillohet sot në Bruksel, Kryeministri Oliver Spasovski i Maqedonisë së Veriut u shpreh se solidariteti është themeli mbi të cilin është ngritur BE-ja.

“Republika e Maqedonisë së Veriut u ngrit mëngjesin e 26 nëntorit e shqetësuar pas informacionit mbi tërmetin e rëndë të rënë në Durrës. Dërguam në Shqipëri ekipe për kërkim-shpëtimin, për dhënien e ndihmës së parë”, – u shpreh Spasovski.

“Qeveria pa me kujdes vlerësimin e nevojave në mënyrë që t’iu përgjigjej atyre. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë pjesë e BE-së por kjo Konferencë inkurajon vendet tona që në të ardhmen të dëgjojmë lajme të mira nga Brukseli”, – tha Spasovski.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.