Kurti, homazhe te varri i Rugovës: Vlerësojmë përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi

PRISHTINË, 17 shkurt/ATSH/ Për nder të 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosen kurora me lule te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ku theksuan se veprimtaria e ish-liderit të LDK-së për lirinë dhe pavarësinë e vendit do të vlerësohet gjithmonë.

Për Kurtin kjo ishte hera e parë që bën homazhe pranë varrit të presidentit të parë të Kosovës së lirë.

Kryeministri Kurti tha se “puna e ish-presidentit Rugova për liri dhe pavarësi të vendit do të vlerësohet gjithmonë. Sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12-të të shpalljes së pavarësisë, kujtojmë presidentin e parë të Kosovës Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore më 24 maj të vitit 1992, një dekadë më vonë më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës doktor Rugova rizgjidhet sërish President i Kosovës kësaj radhe president i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjen e Rugovës për liri dhe pavarësi”.

Kryeparlamentarja Osmani theksoi se “jemi këtu për të nderuar kontributin e presidentit historik Ibrahim Rugova, në ndërtimin e themelit të shtetit tonë si ideator i projektit të Kosovës shtet të pavarur dhe sovran dhe natyrisht kontributin e tij në bashkimin e të gjithë shqiptarëve në Kosovë rreth kësaj ideje”.

“Nderojmë sot natyrisht kontributin e tij dhe të gjithë bijve e bijave, të cilët u bashkuan rreth lëvizjes së madhe të shqiptarëve për ta artikuluar këtë vullnet të qartë, këtë vullnet për liri dhe pavarësinë tonë”, tha Osmani.

Kurti dhe Osmani bënë homazhe edhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.