Konferenca e Donatorëve/ Institucionet financiare programe investimi në shëndetësi, infrastrukturë dhe strehim

TIRANË, 17 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Institucionet më të rëndësishme financiare u angazhuan sot në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, për financimin e programeve të  investimit në shëndetësi, infrastrukturë dhe strehim.

Grupi i Bankave Islamike për Zhvillim, gjatë 5 viteve të ardhshme do të japë 365 milionë euro në forme programesh investimi në shëndetësi, strehim dhe infrastrukturë dhe 50 milionë euro për rikuperimin e mjedisit të biznesit.

Në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, përfaqësuesi i ISDB-së shprehu mbështetjen në kuadër të një programi asistence. “Bashkë me institucionet e tjera ndërkombëtare mund të zbatojmë një program të gjerë rindërtimi. Presim të diskutojmë me partnerë të ndryshëm për programin e rindërtimit. Për të treguar mbështetjen me Shqipërinë, grupi i Bankave Islamike, gjatë 5 viteve të ardhshme do të japë 365 milionë euro në formë programesh investimi në shëndetësi, strehim dhe infrastrukturë dhe 50 milionë euro për rikuperimin e mjedisit të biznesit. Të gjitha këto programe financimi do të përcaktohen në momentin e duhur”, tha ai.

Ndërkohë grupi i Bankës Botërore ofroi 160 milionë euro në hua dhe 85 milionë euro për përpjekjen e rindërtimit në bazë të përparësive nga qeveria me fokus në sektorin e strehimit.

“Qeveria e Shqipërisë ka kaluar nga sektori i shëndetësisë 6 milionë euro për projektet e 3 spitaleve. Në të njëjtin projekt janë gati edhe 6 milionë të tjerë për të blerë pajisje për spitalet e prekura. BB po jep asistencë teknike, një ekip i sektorit financiar do të ndihmojë për ligjin e fatkeqësive natyrore dhe rimëkëmbjen”, tha përfaqësuesja e BB-së.

Banka Europiane e investimeve shprehu solidaritetin me Shqipërinë. “Ne jemi partner i vjetër i Shqipërisë nga viti 1995, i angazhuar të mbështesim vendin përmes burimeve financiare. Përmes huave veprimi ynë bazohet në 3 blloqe: një hua për rindërtimin; një hua për sektorin privat dhe për rimëkëmbjen e bizneseve dhe një hua për përpjekje të përballueshme strehimi për njerëzit e prekur nga tërmeti. Shuma e përgjithshme e tyre do të përcaktohet pasi të bëhen projekte dhe mund të shkojë deri në 100 milionë euro. Ne jemi gati të diskutojmë përparësitë me qeverinë e Shqipërisë dhe BE-së. Na duhet një plan nga ana e qeverisë për të alokuar paratë. Si Bankë Europine ne jemi gati të vazhdojmë të intensifikojmë mbështetjen tonë për Shqipërinë”, u shpreh përfaqësuesi i Bankës Europiane.

Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim konfirmoi 100 milionë e 500 mijë euro ndihmë dhe 100 milionë euro në hua.

Ndërsa BERZH u angazhua për të kontribuar për rimëkëmbjen nga tërmeti dhe zhvillimin të orientuar drejt sektorit privat. “Ne do të përforcojmë programet e investimit të riskut për të çkyçur fondet për sektorin privat. Kemi grante për efikasitetin e energjisë dhe energjinë e gjelbër. Në pjesën e infrastrukturës mbështesim rrugët kryesore të transportit hekurudhor Tiranë-Durrës e përreth. Kemi 100 milionë euro për rindërtim së bashku me investimet dhe jemi gati të eksplorojmë me autoritetet projektet e granteve”, u shpreh përfaqësuesi i BERZH.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.