DAMASK – Siria hap aeroportin e Alepos për fluturime tregtare

DAMASK, 17 shkurt /ATSH-AFP/ – Aeroporti i Alepos, qyteti i dytë i Sirisë dhe ish-mushkëria ekonomike në veri të vendit në luftë, do të rihapet për fluturimet tregtare këtë javë, për herë të parë që prej 2012, njoftuan sot autoritetet.

“Ministri i Transporteve, Ali Hammoud njoftoi rikthimin e aktivitetit në aeroportin ndërkombëtar të Alepos”, njoftoi sot ministria në llogarinë zyrtare Telegram.

“Fluturimi i parë Damask-Alepo do të zhvillohet nesër, si dhe do të programohen fluturime drejt Damaskut dhe Kajros në ditët e ardhshme”, theksoi ministria.

Aeroporti i Alepos, në lindje të metropolit, ka ndërprerë të gjitha fluturimet tregtare në 2012, vit kur grupet rebele morën kontrollin e lagjeve në lindje të qytetit.

Fluturime provë janë kryer në aeroportin e Alepos në vitin 2017.

Këto ditët e fundit, forcat qeveritare kanë rimarrë territoret në perëndim të provincës, një sektor ku ndodhen ende xhihadistë dhe rebelë.

Që  prej dhjetorit më shumë se 900 000 persona janë zhvendosur nga dhuna në veriperëndim të vendit », sipas OKB-së./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.