Turistët vendas e të huaj me anije drejt Sazanit dhe Karaburunit, shijojnë të dielën me diell

 

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/ Sazani dhe Karaburuni ishte sot destinacioni i turistëve vendas e të huaj, të cilët shijuan, në këtë ditë me diell të mesit të shkurtit, bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.

Anija turistike “Regina” u nis sot nga porti i Vlorës, duke i paraprirë çeljes së sezonit turistik të këtij viti, ku anijet e vogla  kryejnë udhëtimet drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, shprehet se “sot në një ditë shkurti, filloi lëvizja e pare e anijeve drejt Karaburun -Sazanit”.

Sipas Lelit, gjatë kësaj fundjave hotelet e qytetit bregdetar ishin të tejmbushur.

“Bizneset e turizmit janë pararendësit e zhvillimit ekonomik të qytetit. Për këtë përgatitjet e bashkisë Vlorë, për sezonin turistik 2020, filluan që në ditët e para të janarit”, – tha Leli.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.