Skema Kombëtare 2020/ Zv.ministri i Bujqësisë Kote për ATSH-në: 7 miliardë lekë nga buxheti në mbështetje të fermerëve 

 

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/- Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2020, adreson një fond prej 7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në mbështetje të fermerëve.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote në një intervistë për ATSH-në, bëri të ditur se, “këtë vit Skema Kombëtare mbulon sektorët ruralë, që nuk financohen nga IPARD-i, duke evituar kështu mbivendosjen e financimit. Skema është orientuar drejt, mbi bazën e nevojave që kanë sektorët dhe i vjen në mbështetje drejtpërdrejt fermerëve”.

“Bletarët përfitojnë 10 mijë lekë për çdo koshere bletësh. Gjithashtu mbështetje përfiton edhe blegtoria, që është një sektor shumë i rëndësishëm në Shqipëri dhe nuk ka atë ritëm rritje që ka marrë bujqësia”, u shpreh Kote.

Fermerët që operojnë në sektorin e bimëve mjekësore, përfitojnë 2 milionë lekë për hektarë të mbjellë me këto kultura, pasi siç thekson ai, “bimët mjekësore nuk mbështeten nga programi IPARD, ndaj ndërhyn Skema Kombëtare”.

Bimët mjekësore janë një sektor i rëndësishëm që siguron punësim dhe të ardhura të konsiderueshme nga eksporti, i cili vitet e fundit po shkon i përpunuar dhe jo thjesht vetëm si bimë mjekësore. e.xh/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.