Media franceze: Macron më fleksibël për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe MV

PARIS, 16 shkurt /ATSH/ – Mediat franceze i bënë jehonë qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron  për të mbështetur hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

E përditshmja franceze “Le Figaro” e hap artikullin e saj me titullin “Macron më fleksibël për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh i gatshëm për të hequr kundërshtimin e vendit të tij për procesin e hapjes së negociatave me BE-në të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ne po presim raportin e Komisionit Europian në muajin mars për dy vendet. Nëse rezultatet janë pozitive dhe fitohet besimi, atëherë ne do të mbështesim hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”,  theksoi presidenti francez, Emmanuel Macron në Konferencën për Sigurinë në Mynih.

“BFMTV”: Macron më i hapur për negociatat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut.

Deri tani Franca ka qenë kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me këto dy vende të Ballkanit, por presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh i gatshëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“La Tribune”: Zgjerimi i BE-së: Macron më i butë për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Boursorama”: Macron i hap rrugën një anëtarësimi të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se do t’i hapte rrugën Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE nëse Brukseli jep miratimin e tij muajin e ardhshëm./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.