TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi një tjetër angazhim të përmbushur në kuadër të Paktit për Universitetin laboratorin e ri të biosimulimit klinik për praktikat e studentëve të Mjekësisë.
Investimi prej 26 mijë dollarë për laboratorin e biosimulimit klinik është mundësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fakulteti i Mjekësisë, në bashkëpunim me Fondin Global.
Në një reagim, Kryeministri Rama u shpreh se “Pakti për Universitetin është gjithmonë prioriteti ynë. Edhe një tjetër angazhim i përmbushur laboratori i ri i biosimulimit klinik për praktikat e studentëve të Mjekësisë”.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e konsideroi një premtim të mbajtur për të realizuar qendrën e biosimulimit klinik, e cila është njësia bazë që më pas të ketë edhe laboratorë të tjerë, të cilët ti shtohen Universitetit të Mjekësisë”.
“Jam e kënaqur që bëjmë realitet një angazhim të ndërmarrë në kuadër të paktit për Universitetit”, – tha Manastirliu.
Një mjek tha se “ky është një manekin më i avancuar se ato që kemi pasur deri më sot simulon pacientin në patologji të ndryshme”.
Një studente shprehet se “praktikat në këtë ambient të rinovuar janë në standarde me Universitetet e tjera të Mjekësisë”.
“E rëndësishme për ne si studentë është që gjithë dijet që kemi mësuar në teori ti arrijmë ti zbatojmë në praktikë”, -u shpreh një tjetër studente.
Një tjetër pedagog tha se është një laborator ekselent për formimin klinik të studentëve specializantëve dhe mjekëve tanë të rinj”./k.s/