“Suedia mbështet hapjen e negociatave”/ Ambasadorja Hastad për ATSH: Mundësi më të mëdha bashkëpunimi ekonomik, 40 mijë turistë suedezë vizituan Shqipërinë në vitin 2019

 

TIRANË, 14 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ -Shqipëria dhe Suedia kanë shënuar 50 vjetorin e marrëdhënieve të tyre këtë vit dhe Suedia është aktualisht në vendin e dytë si partnere zhvillimi dhe donatore për Shqipërinë.

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Hastad, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka folur për marrëdhëniet mes dy vendeve tona si dhe për mbështetjen që Suedia pritet t’i japë Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ambasadorja Hastad ka folur edhe për mbështetjen që Suedia i jep hapjes së negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe vlerëson propozimin e metodologjisë së re për zgjerimin të BE.

Ambasadorja Suedeze ka folur edhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik, për bukuritë natyrore të Shqipërisë që janë shndërruar në atraksion për turistët suedezë si dhe për zhvillimin e marrëdhënieve kulturore mes të dy vendeve.

Intervista e plotë me Ambasadorin e Republikës së Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad:

ATSH: Shqipëria dhe Suedia shënuan 50-vjetorin e marrëdhënieve të tyre. Në çfarë niveli janë aktualisht këto marrëdhënie dhe ku ka vend për përmirësim?

Ambasadorja Hastad: Padyshim, ka vend për përmirësim, por ne kemi shenjuar 50 vite marrëdhënie diplomatike dhe 20 vite bashkëpunim në zhvillim. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne jemi aktualisht në vendin e dytë si partnerë zhvillimi dhe donatorë për Shqipërinë. Pranimi në BE, 15 milionë euro në vit. Kjo është diçka e mirë, por unë mendoj se ne mund të bëjmë më tepër përsa i përket tregtisë, marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimeve kulturore dhe njerëzore. Unë mendoj se shqiptarët duhet të dinë më shumë për Suedinë.

ATSH: Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishëm më 26 nëntor. A mund të na tregoni ndjenjat tuaja pas kësaj ngjarje dhe si e përjetuat ju personalisht?

Ambasadorja Hastad: Ishte një tragjedi e madhe për Shqipërinë. Unë, personalisht, isha në Kosovë për një takim mes kolegësh, por u ngrita në orën 04:00, sepse e ndjeva deri atje ku isha, në Prishtinë.

ATSH: Suedia do të jetë një prej vendeve që do të marrë pjesë në Forumin e Donatorëve që pritet të mblidhet në Bruksel më 17 shkurt, si e vlerësoni këtë konferencë?

Ambasadorja Hastad: Jam shumë e kënaqur që ministri ynë për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin ka njoftuar praninë e tij në Konferencën e Donatorëve. Kjo tregon siguri për një pjesëmarrje të nivelit të lartë, që është gjë shumë, shumë e mirë dhe, sigurisht, Suedia do të jetë një nga donatoret për Shqipërinë në këtë kohë të vështirë. Tani për tani, ne po shqyrtojmë gjithë mundësitë e bashkëpunimit. Ne jemi tashmë donatorë të mëdhenj, por ne do të përpiqemi t’u adresohemi pasojave, të krijojmë aftësi ripërtëritëse, në mënyrë që Shqipëria të jetë më shumë e përgatitur, nëse diçka e tillë ndodh përsëri. Ndoshta, jo më nga një tërmet, por nga ndonjë tjetër katastrofë. Pra, ne do të përpiqemi fort që të mbështesim dhe të krijojmë këto aftësi ripërtëritëse brenda Shqipërisë.

ATSH: Sa i përket integrimit europian, cili është pozicioni i Suedisë në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE?

Ambasadorja Hastad: Po. Suedia mbështet rekomandimet e Komisionit Europian duke këshilluar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Suedia është përkrahëse e kësaj. Unë mendoj se Shqipëria është gati që të nisë negociatat. Është e vërtetë që Shqipëria ka punuar fort, por nuk duhet të harrojmë se ka ende shumë punë për të bërë dhe të nisësh negociatat do të thotë në njëfarë mënyre të fillosh një punë të re dhe mund të duhen, ndoshta, 10 apo 15 vite të tjera. Por, sigurisht, Shqipëria është gati për të nisur negociatat.

ATSH: Si e shihni propozimin e Bashkimit Europian për metodologjinë e re të zgjerimit?

Ambasadorja Hastad: Unë mendoj se, nëse ajo sjell bashkim midis vendeve anëtare dhe se nëse të gjithë bien dakord për këtë metodologji, është diçka shumë e mirë. Suedia e mbështet propozimin. Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të bashkohemi dhe jam e mendimit se ky propozim do të jetë në gjendje të na bashkojë. Gjithashtu, do ta bëjë procesin edhe më të parashikueshëm dhe unë mendoj se kjo gjë është shumë e rëndësishme.

ATSH: Sa i përket Reformës në Drejtësi në Shqipëri, si e shihni përparimin e saj, a mendoni se do të ketë sukses?

Ambasadorja Hastad: Mendoj se reforma në drejtësi është tepër e rëndësishme dhe jo vetëm për të hapur negociatat apo për pranimin në BE, por edhe për të krijuar besueshmërinë në sistemin e drejtësisë në vend. Kjo do të tërhiqte investitorë, biznese dhe çfarë është më e rëndësishme do t’u rikthente njerëzve besimin në sistemin e drejtësisë. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, unë mendoj se Shqipëria ka bërë shumë punë për ta çuar me të vërtetë përpara sistemin e drejtësisë dhe kjo është shumë e rëndësishme.

ATSH: Në aspektin ekonomik, cilat janë sektorët ku investitorët suedezë janë të interesuar të investojnë në Shqipëri?

Ambasadorja Hastad: Jam e mendimit se duhet ta rimendojmë. Suedia ka shumë për të ofruar. Për shembull, në industrinë e modës, ne kemi plot biznese të vogla e të mesme. Mendoj se ne mund të ofrojmë stilistët tanë, por gjithashtu edhe përvojën tonë të biznesit të qëndrueshëm, që krijon vende pune të qëndrueshme, sepse kur Shqipëria kërkon të bëhet anëtare e BE-së, ajo duhet të ketë një nivel të lartë të biznesit të qëndrueshëm. Mendoj se, edhe pse Shqipëria është një treg i vogël, ne mund të bashkëpunojmë në shumë mënyra të tjera, mund të kemi bashkëpunim në prodhim, në tregti dhe në forma të tjera. Unë do të thosha, biznese të vogla e të mesme në industrinë e modës, kjo është e ardhmja.

ATSH: Ju kemi parë të angazhuar personalisht në disa fushata në Shqipëri si zhvillimi I qëndrueshëm, fuqizimi i grave apo dhe ushqyerja në mënyrë të shëndetshme dhe bio. Si e shihni zhvillimin e vendit tonë në raport me këto çështje.

Ambasadorja Hastad: Duhet të them se mbeta e habitur, kur erdha në Shqipëri, sepse ju keni një veprimtari vërtet të zhvilluar të gatimeve tradicionale vendase, që është me interes dhe unë mendoj se kjo është e ardhmja për Shqipërinë, sepse ju jeni një vend bujqësor dhe dini shumë në këtë aspekt, keni ide shumë të mira dhe kjo është diçka me interes për Europën, për turistët nga Europa. Jam e mendimit se kjo gjë do të jetë e shkëlqyer edhe në krijimin e bizneseve.

ATSH: Sa i përket turizmit, disa media suedeze kanë shkruar për bukuritë e Shqipërisë, a mendoni se kjo do të reflektohet në rritje të numrit të turistëve suedezë në Shqipëri? Çfarë i tërheq më shumë turistët suedezë nga Shqipëria, deti, malet, trashëgimia kulturore?

Ambasadorja Hastad: Po. Mendoj se mund të presim më shumë turistë. Patëm një rritje me 30%, që është shumë mirë. Në vitin 2019, 40 mijë turistë suedezë hynë në Shqipëri. 40 mijë! Mendoj se mund të presim edhe shumë më tepër, sepse Shqipëria ka gjithçka që kërkojnë turistët suedezë. Ju keni plazhe, keni male, keni ushqimin.

ATSH: Po ju personalisht, a keni udhëtuar nëpër Shqipëri? Çfarë ju bën përshtypje më shumë?

Ambasadorja Hastad: Të gjitha vendet. Kam qenë në Krujë. Më pëlqen shumë Kruja. Kam qenë në Berat, ai është shumë i bukur… Po, ai është fantastik! Por unë them se ju keni plot xhevahire. Dal jashtë Tirane dhe është shumë bukur. Marr kthesën pranë vendit ku jetoj dhe aty është Petrela, ke një kështjellë, gjen ushqim të mirë, ke peizazhe dhe kjo është e mahnitshme.

ATSH: Po në lidhje me kuzhinën tonë tradicionale? A ju pëlqen?

Ambasadorja Hastad: Më ka pëlqyer shumë. Por, mua nuk më pëlqen mishi. E kam pak frikë mishin, megjithatë më pëlqejnë perimet, më pëlqen shumë peshku juaj, më pëlqen gjithçka. Më pëlqen shumë fërgesa. Është e parapëlqyera ime, mund ta ha çdo ditë. E adhuroj fërgesën!

ATSH: Po në lidhje me marrëdhëniet kulturore mes të dy vendeve a ka pasur zhvillime?

Ambasadorja Hastad: Unë mendoj se duhet të bëjmë më shumë përsa i përket kulturës. Kur i pyes shqiptarët se çfarë dinë për Suedinë, ata përmendin Pipi Çorapegjatën, shumë mirë, njohin Roxette, Ace of Base, shumë mirë, njohin edhe ABBA-t, por ne kemi shumë më tepër së kaq. Duhet të përkthejmë libra e filma suedezë. Unë kam nisur Festivalin e Filmit Suedez, kështu që ju mund të shihni filma suedezë dhe të dëgjoni muzikën e e re suedeze, si Robin, për shembull. Ne kemi kaq shumë artistë të mirë. Pra, duhet bërë shumë më tepër.

ATSH:  Znj. Ambasadore ishte kënaqësi të zhvillonim këtë intervistë.

Ambasadorja Hastad: Ishte kënaqësia ime të bisedoja me ju!

/ervo/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.