Rregullorja re, “gjobë kilovatësh” për këdo që vjedh energjinë elektrike

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Reduktimi i humbjeve të energjisë elektrike është një ndër sfidat e rimëkëmbjes së sektorit energjetik.

Së fundmi, Enti Rregullatori i Energjisë diskutoi hartimin e një rregulloreje të re për rimëkëmbjen e humbjeve të energjisë.

Rregullorja e re e Entit Rregullator të Energjisë, parashikon procedura të reja për rikuperimin e humbjeve duke penalizuar me “gjobë kilovatësh”, këdo që vjedh energjinë elektrike.

Sipas të dhënave të publikuara nga Operatori i Shpërndarjes se Energjisë (OSHEE), niveli i humbjeve nga 45% në vitin 2013-n, zbriti në 21.7% në fund të vitit 2019.

Referuar statistikave në vitin 2013, OSHEE arrinte të mblidhte vetëm 38 % të energjisë së konsumuar, ndërsa sot kjo shifër shënon 65% të energjisë së shpërndarë në rrjet.

OSHEE në 5 vitet e fundit investoi në total afro 280 milionë euro, të cilat janë shtrirë në nënstacionet, rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, kabinat, sistemin e matjes apo monitorimit. Investimet përmirësuan ndjeshëm treguesit e cilësisë së furnizimit me energji elektrike./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.