3.7% u rrit paga mesatare mujore bruto, në 3-mujorin e tretë 2019

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/- Paga mesatare mujore bruto pësoi një rritje vjetore prej 3.7% në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke vijuar tendencën rritëse të gjysmës së parë të vitit, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Ndërkohë, paga mesatare në sektorin publik vijoi të përshpejtojë ritmet e rritjes vjetore, në
5.6% në terma nominalë dhe 4.2% në terma realë.
Sipas BSH-së, ky tregues i referohet pagës mesatare mujore bruto që merr një i punësuar dhe ka si burim të dhënat e listë-pagesave të subjekteve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kjo pagë përbëhet nga paga bazë për punën e kryer, shtesat mbi pagë për funksione drejtuese, shtesa mbi pagë për vjetërsi pune, shtesa mbi pagë për vështirësi pune, shtesa të tjera të lidhura me tituj, grada, si edhe shpërblimet. Në të përfshihen të gjitha aktivitetet ekonomike, si në sektorin shtetëror, ashtu edhe në atë privat, për të gjithë të punësuarit me pagë që punojnë në vend duke përfshirë edhe rezidentët e huaj
Në terma realë, paga mesatare u rrit me 2.3%, kundrejt 3.1% një tremujor më parë. Ecuria më e ngadaltë e pagës mesatare ka reflektuar rritjen me ritme më të zbutura të pagës mesatare në sektorin privat, në 2.6% në terma nominalë ose 1.2% në terma realë. e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.