Strehimi i të prekurve nga tërmeti në hotele, Klosi: Moment unikal, po përdoret gjerësisht si një rast suksesi

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Pranimi dhe trajtimi me dinjitet të banorëve që u strehuan në hotele, jo vetëm krijoi për ta një atmosferë pozitive por edhe po u shërben vendeve të tjera si shembull për të zgjidhur kriza të caktuara.

Në ditën e shënuar të celebrimit të dashurisë, ministria e Turizmit dhe e Mjedisit së bashku me PNUD, risollën në vëmendje vlerësimin për shërbimit hotelier të ofruar për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

PNUD prezantoi sot në ambientet e qendrës për Hapje dhe Dialog, rezultatet e studimit  “Mbi sjelljet dhe Qëndrimet e personave të strehuar në hotele si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit”.

“Solidariteti i treguar nga hoteleria shqiptare si dhe institucionet publike treguan se ka vetëm një burim: dashuria për njeriun, dashuria e shqiptarit për shqiptarin. Pra, edhe ky studim edhe gjithë kjo punë që kemi bërë gjatë këtyre 2 muajve duke paraqitur rastin e tërmetit në mënyrën se si industria e turizmit shqiptar menaxhoi brenda këtij solidariteti shqiptar, dashurisë shqiptare, ndjenjën pozitive shqiptare të tragjedisë të madhe, është një nga rastet unikale në gjithë botën dhe padyshim në rajon, pa dyshim në botë, ku kjo ndjesia e hapjes së shtëpisë pa pyetur se nga vjen, pothuaj ka marrë fund. Rasti i Shqipërisë po përdoret gjerësisht tashmë si një rast suksesi në historinë e suksesit në Organizatën Botërore të Turizmit pasi realisht ajo që ndodhi në Shqipëri është unikale dhe besoj e papërsëritshme, nuk ka raste të tilla. Studimet që kanë bërë ekspertët nuk ka raste të ngjashme në asnjë situatë tjetër, mund të ketë raste me kontrata që qeveritë të ndryshme mund të kenë pranuar në hotele të caktuara njerëz me kontratë, por ajo që ndodhi në Shqipëri ku 6 mijë njerëz u sistemuan pa asnjë kontratë, pa asnjë marrëveshje paraprake ishte unikale, pastaj operacioni vazhdoi pas javës së parë nga data 1 dhjetor e deri në dartën 6-7 shkurt ka patur një kontribut shtetëror, por pjesa e parë është unikale dhe e papërsëritshme”, -tha ministri Klosi.

Sipas këtij studimi, eksperiencën më pozitive e kanë patur me fëmijët, të rinjtë e papunë dhe të paarsimuar si dhe moshën e tretë.

“Këto tre profile banorësh kanë zhvilluar marrëdhënie, njohje të reja brenda hoteleve dhe identifikojnë te vetja ndryshime pozitive. Në mënyrë spontane në të gjitha hotelet si pasojë e atmosferës pozitive, pranuese dhe shërbimeve të ofruara janë krijuar komunitete rezidente. Komunikimi, empatia, pranimi, trajtimi me dinjitet janë tregues i rëndësishëm në krijimin e një atmosfere pozitive. Ky rast i zgjidhjes së krizës në vendin tonë mund të shërbejë si shembull dhe në raste të tjera”, -u shpreh Klosi.

Më tej, ministri informoi se “ndërkohë që ju premtoj dhe ju kërkoj me forcë që dhe ja ku janë përgjigjet 84 për qind e njerëzve që u sistemuan në hotele iu ka mbetur një ndjesi shumë pozitive nga mikpritja, higjiena, shërbimi cilësor, në ushqimet që u ofruan në këto dy muaj nga dita e parë deri në ditën që u larguan. Ajo që ne e themi është që të kemi mundësinë që se si kjo jetë në një hotel të caktuar, duke ndenjur bashkë, ju krijon atyre mundësinë për të bërë një jetë më të mirë. Pra identifikimi është qartazi shumë i rëndësishëm, për të vazhduar qartazi me politikat tona në mbështetje të hotelierëve. Kjo padyshim është dëshmia më domethënëse e ditës së parë dhe hotelet duhet të jenë krenar për mënyrën se si kanë punuar. Dhe momenti më pozitiv për njerëzit e pyetur në mënyrë rastësore por është momenti i parë dhe respekti, komunikimi i stafit iu ka lënë atyre shumë mbresa për t’u vlerësuar”.

Sipas Klosit, në këtë studim konfirmohen kapacitetet dhe aftësitë menaxheriale të hoteleve tona. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.