Misioni faktmbledhës i Venecias, takim me Avokaten e Popullit Erinda Ballanca

TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/- Delegacioni i Komisionit të Venecias vizitoi sot institucionin e Avokatit të Popullit ku u prit nga Avokatja Erinda Ballanca dhe bashkëpunëtorët e saj të ngushtë.

Vizita e Komisionit të Venecias vjen në kuadrin e misionit faktmbledhës në lidhje me kërkesën e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë e më pas edhe nga Presidenti i Republikës për disa aspekte të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga delegacioni në lidhje me objektin e misionit të tyre.

Ajo shprehu pikëpamjet e saj në lidhje me këtë çështje me opinionet që u mbajtën shënim nga ekipi faktmbledhës.

“Institucioni i Avokatit të Popullit çmon se tejzgjatja e mungesës së institucioneve të rëndësishme për Shqipërinë, siç është edhe Gjykata Kushtetuese, është e pajustifikueshme, megjithatë respektimi korrekt i rregullave dhe ligjeve në ngritjen e këtyre institucioneve është thelbësor për të garantuar që këto ngrehina institucionale të kenë themele të fortë, të shëndetshëm dhe të pakontestueshëm. Kjo është mënyra e vetme për rikthimin e besimit të publikut te institucionet e drejtësisë në veçanti dhe autoriteti shtetëror në përgjithësi”,- tha Balanca

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.