FOKUS – BE-Ballkan, darkë për përgatitjen e samitit të Zagrebit në maj

BRUKSEL, 14 shkurt /ATSH-AFP/ – Drejtuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit, kandidate për anëtarësim në BE do të priten të dielën në mbrëmje në Bruksel nga presidentët e institucioneve europiane për një darkë jozyrtare pune, e destinuar për përgatitjen e samitit të parashikuar në Zagreb në maj 2020.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të presin të ftuarit e tyre në selinë e Këshillit Europian.

“Bëhet fjalë për t’u angazhuar në një dialog politik të nivelit të lartë me Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjen dhe për të kuptuar pritshmëritë e tyre para fillimit të përgatitjeve për samitin e Zagrebit më 17 maj”, theksoi një zyrtar europian.

“Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell do të marrë pjesë në këtë takim që do të zgjasë rreth tre orë. Ideja është që të kemi “diskutime të sinqerta”, por asnjë vendim nuk do të merret”, bënë të ditur burime europiane.

Presidenti i Këshilli Europian, Charles Michel synon gjithashtu fillimin e diskutimeve për një pakt investimesh për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka folur tashmë për këtë gjatë bisedimeve të tij në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri në fund të janarit.

Drejtuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit do të marrin pjesë të hënën në një konferencë donatorësh, e organizuar për të ndihmuar në rindërtimin e Shqipërisë, e goditur nga një tërmet i fuqishëm në nëntor 2019./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.