Braçe: Drejtësia e vjetër po pengon investimet e huaja në vend, hetim për gjyqtarët

TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/- Zëvendëskryeministri Erjon Braçe tha sot se drejtësia e vjetër po pengon investimet e huaja në vend, ndërsa kërkoi hetim dhe gjykim për gjyqtarët që japin vendime të padrejta.

Braçe shprehet se “Koorporata më e korruptuar në vend, sistemi, pra drejtësia e vjetër, po sfidon edhe shprehjen epike shqiptare- çudia më e madhe tre dite zgjat! Çudia me historinë e Duty Free ne Rinas, konsumuar në një gjykatë të vjetër në Tiranë, zgjati veç dy ore; sot është dita e tretë dhe është harruar fare. Po a duhet harruar? Unë thenmjo, por jo me fjalë, me veprime. Shqipëria, ekonomia, njerëzit qe jetojnë këtu, e kanë si ajri nevojën për kapitalin e huaj, jo thjesht si para, por si investim, si standard, si kulturë, si teknologji, si rregull e konkurrencë, si punë që paguhet e mbrohet më mirë, madje duke udhëhequr e tërhequr tregun e punës që vuan mungesa të mëdha ushqyer nga keqpagimi”, shprehet ai.

“Kapitalin amerikan me përvojën historike e kemi mbajtur larg këtij vendi; Me mungesën e rregullit e ligjit, standardi bazë në vendin e origjinës. Shikoni; standardi ynë ku një gjyqtar duhet me patjetër të jetë edhe biznesmen, pra veç rrogës të marre edhe fitimet e një biznesi ekskluziv, e pastaj me radhë- për këtë duket i madh, i zoti, famoz brenda sistemit, ka mbrojtje, mbështetje, merr jo një herë po disa herë me radhë vendime nga gjykatësit e Korporatës është i neveritshëm, i pamenduar kurrë në një vend te kapitalit! Po fare fare! Këtu tek ne ka legjitimitet! Madje ka festë të zhurmshme në sistem dhe heshtje qe ta shpif në politikë”, u shpreh Braçe.

Braçe theksoi se për gjyqtarët dhe prokurorët nuk duhet të ketë thjeshtë Veting por hetim dhe gjykim për ta.

“Qeveria dje beri të paguhet shthurrja e mendjelehtësia në administratë, vendimmarrje; Ky do jete shembulli! Po a mjafton? Asfare! Një gjykatës në nivelin e parë e të dytë- ende të paprekur nga Vetingu, mund të bëjë ç’të dojë, të vendosë kundër çdo ligji e rregulli, të të detyrojë të besh biznes e t’i dorëzosh fitime të mëdha atij që do gjyqtari, jo atij që zgjedh ti! Ky është kulmi! Kompania amerikane e përzgjedhur nga Aeroporti për të bërë biznes ishte shenjë, test se në këtë vend liria, rregulli, ligji për të bërë biznes ishte e garantuar. Dëmi nga vendimarrja sistemi, është i madh në këtë plan; Shembull i keq! Do vijojë nëse nuk e ndalim!. Sistemi duhet të dijë fundin; jo dorëheqje para Vetingut apo gëzim parash pas tij, por hetim e gjykim”, përfundoi Braçe. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.