Programi i Rindërtimit/ Sejko: Bankat të ridimensionojnë aktivitetin kredidhënës

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/- Programi i Rindërtimit që ka ndërmarrë qeveria, pas pasojave shkatërruese të tërmetit të 26 nëntorit, për zhvillimin e ri urbanistik dhe rural, në zonat e dëmtuara, i ‘vendos’ bankat tregtare në vend, në pozitat e ridimensionimit të aktivitetit kredidhënës, në një nivel të ri zhvillimi.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një takimi pune të mërkurën në Tiranë, me përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, tha se “Tek fatkeqësia natyrore nuk duhet të shohim vetëm disfatën, por edhe mundësitë për rimëkëmbje”.

“Tashmë qeveria ka publikuar zonat ku do të rindërtohet pas tërmetit, dhe përveç fondeve të alokuara nga buxheti i shtetit për këtë qëllim, priten edhe burime të tjera nga konferenca e donatorëve”- tha Sejko.

Guvernatori i bëri apel bankave, që në këtë mjedis ku shfaqen oportunitete financimi nga qeveria, donatorët, por edhe interes i lartë nga individët për të investuar në ristrukturimin e pronave të tyre dhe për t’i bërë ato më të sigurta, bankat nuk mund të qëndrojnë pasive, por duhet ta fuqizojnë rolin e tyre si ndërmjetës dhe ta dimensionojnë aktivitetin kredidhënës në një nivel të ri. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.