OFL, jo fushatë, por përshkallëzim ekstrem ndaj krimit të organizuar

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme gjatë një interviste televizive se operacioni “Forca e Ligjit” nuk është një fushatë, por përshkallëzim ekstrem ndaj krimit të organizuar.

Rama tha se operacioni “Forca e Ligjit” nis me një listë ku përfshihen të dënuarit për krime të rënda brenda dhe jashtë vendit.

“Është listë e hartuar nga vetë sistemi i drejtësisë në 30 vjet. Të dënuarit në Shqipëri dhe jashtë. Është fasha terrorizëm, krim i organizuar dhe krime të rënda të përcaktuara, janë të përcaktuara në ligj. Pra, gjithkush që është i dënuar për këto”, – detajoi ai.

Rama dha arsyet se pse kjo punë ka nisur me këtë listë. “Në këtë moment ne kemi një rezervuar, le të themi, një grup njerëzish që janë të dënuar. Pra, i kemi listë të mbyllur, janë të akuzuar, është listë e mbyllur dhe Policia në këtë rast nuk bën asgjë tjetër veçse merr nga regjistri dhe bën të gjithë verifikimin e pronave të tyre. Bëhet fjalë për prona të tyre të deklaruara sepse pastaj këta kanë plot që edhe nuk i kanë deklaruar dhe ia çon SPAK-ut”, – tha ai.

Më tej, ai deklaroi: “Komisioni i Vetingut ka bërë verifikimin dhe thotë: ‘ti nuk justifikon dot pasurinë, nuk je për gjykatës’. Ata kjo drejtësi e re do t’i thërrasë por nuk do t’i thërrasë Policia, largqoftë, se nuk jemi në 1945. SPAK-u me Gjykatën Speciale do të fillojë t’i thërrasë. Do t’i thotë: ‘hajde këtu. Ke dalë atje që ke shumë. Si është puna atje që ke kaq shumë? Provoje pak tani, si është kjo puna që ke?'”.

Rama deklaroi po ashtu se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me politikanët e dyshuar. “Të njëjtën gjë SPAK-u duhet të bëjë me çdo politikan i cili është pjesë e një hetimi të caktuar dhe ose i dyshuar për pjesëmarrje në ligjin e caktuar dhe i thonë: ‘hajde këtu. Ka mundësi të më tregosh tani?’ Ndryshimi është shumë i thjeshtë. Në raport me këta, procesi ka mbaruar. Jemi në postproces”, – u shpreh Rama. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.