Leku vijon të jetë i mbiçmuar kundrejt euros në krahasim me vitin e kaluar

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/-Leku vijon të jetë i mbiçmuar kundrejt euros në krahasim me vitin e kaluar, por në një masë më të vogël.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, monedha vendase është nënçmuar në tremujorin e katërt të vitit 2019, pas mbiçmimit të shënuar në dy tremujorët e mëparshëm, të cilët përkuan me një sezon të mirë turistik.
Kursi euro/lek rezultoi mesatarisht 122.7 lekë/euro në këtë tremujor, me një nënçmim të lekut prej 0.9% kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Banka Qendrore vëren se, forcimi vjetor i lekut është ngadalësuar ndjeshëm, duke zbritur në 1.4% në tremujorin e fundit të vitit, nga 3.4% në dy tremujorët paraardhës dhe nga 5.9% që shënonte në tremujorin e parë të tij.
Sa i takon horizontit më afatshkurtër, muaji dhjetor u karakterizua nga mbiçmim
i lekut ndaj euros, prej 0.5%, në linjë me sjelljen sezonale të tij. Në tre javët
e para të muajit janar, kursi eur/lek është luhatur rreth mesatares 122.0
lekë/euro, pa ndryshuar ndjeshëm nga niveli mesatar i muajit dhjetor. Në
përgjithësi, tregtimi i euros në tregun valutor gjatë muajve të fundit ka qenë i
qetë; treguesit e rrezikut janë paraqitur në nivele optimale dhe në treg kanë
munguar pritshmëri të njëanshme për mbiçmim apo nënçmim të lekut
Ecuria e këtyre treguesve dëshmon për normalizim të pritjeve të agjentëve në treg dhe
mungesë të ndërmarrjes së pozicioneve spekulative nga ana e tyre mbi ecurinë
e ardhshme të kursit. e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.