Kuvendi i Kosovës miratoi uljen e numrit të komisioneve parlamentare nga 16, në 14

PRISHTINË, 13 shkurt /ATSH/ Kuvendi i Kosovës ka miratuar pasditen e kësaj të enjteje, me 90 vota pro dhe një abstenim, 14 komisione parlamentare, ndërsa u ra dakord që emrat e anëtarëve nëpër komisione do të dërgohen më vonë.

Kështu u arrit të siguroheshin votat e nevojshme për kalimin e projektpropozimit për kalimin nga 16 në 14 komisione parlamentare, i cili në votimin e paradites së sotme dështoi, pasi nuk u sigurua numri i nevojshëm i votave (80 vota).

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në fjalën e saj gjatë seancës së paradites tha se miratimi i propozimvendimit për formimin e 14 komisioneve parlamentare kërkon ndryshimin e nenit 69, paragrafi 3 dhe 4 të rregullores së Kuvendit ku parashikohen 16 komisione. Në bazë të nenit 81, paragrafi 3 të rregullores së Kuvendit ndryshimi miratohet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, pra nevojiten së paku 80 vota pro.

Ndarja e 14 komisioneve parlamentare do të jetë e tillë: 8 do t’i ketë pozita dhe 6 opozita.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të kryesojë Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, dhe Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të drejtojë Komisionin për Integrime Europiane, Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, dhe Komisionin për Arsim, Shkencë e Teknologji, Ndërmarrësi dhe Inovacion.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të kryesojë Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të drejtojë Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe Komisionin për Shëndetësisë, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Nisma do të drejtojë Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Ndërkaq, Lista Serbe drejton Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione do të udhëhiqet nga Grupi Parlamentar 6+.

Kuvendi kaloi gjithashtu me 91 vota pro, propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës që si pikë e rendit të ditës të shtohej edhe pika për vazhdimin e vlefshmërisë së rregullores së punës së Kuvendit së Kosovës edhe për legjislaturën e shtatë, deri në miratimin e rregullores së re, me përjashtim të nenit 69, paragrafi 4 të kësaj rregulloreje.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.