“As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”/ Banka e Shqipërisë hap konkursin për krijimet video të gjimnazistëve

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/- Banka e Shqipërisë ka çelur konkursi për nxënësit e shkollave të mesme “Videoja më e mirë”, me temë “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”.

Me rastin e Javës së Parasë 2020, në datat 23-29 mars 2020, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, fton të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të vendit të konkurrojnë me videot e krijuara prej tyre, mbi temën e caktuar.

Videoja mund të jetë produkt individual apo i punës në grup, nuk duhet të jetë më e gjatë se 2 minuta dhe duhet të dërgohet pranë Bankës së Shqipërisë brenda datës 20 mars, ora 09:00.

Videot duhet të dorëzohen me CD në Bankën e Shqipërisë.

Ky aktivitet është në vazhdën e misionit për edukimin financiar të publikut, si një domosdoshmëri për këdo, duke marrë në konsideratë jo vetëm ritmet e zhvillimit ekonomik, bankar dhe teknologjik, por edhe rëndësinë e peshën që informacioni ka në botën e sotme globale.

Një kulturë e tillë ndihmon konsumatorët, prodhuesit dhe investuesit të marrin vendime të goditura financiare dhe njëkohësisht bankën qendrore të arrijë më lehtë objektivin e saj për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.