Anti KÇK çon në burg gjyqtarët e prokurorët që japin vendime skandaloze, OFL godet fuqinë financiare të krimit të organizuar

TIRANË, 13 shkurt /ATSH – I. Vata/- “Me ligjin e miratuar në Kuvend prokurorët dhe gjykatësit që shkelin ligjin, shkojnë në burg”, tha sot kryeministri Edi Rama i ftuar në një emision televiziv.

Kryeministri Edi Rama tha se: “Kemi marrë dje në parlament vendimin që nëse një gjykatës ose një prokuror vepron në mënyrë haptazi të dyshimtë, menjëherë vihet në  lëvizje qeverisja e re e gjyqësorit, ose Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe brenda tre ditësh një gjykatës si ajo që dha një vendim skandaloz, pezullohet menjëherë”.

“Këta kanë dalë nga zinxhirët, janë një bandë kriminale brenda sistemit të drejtësisë, gjykatës dhe prokurorë që janë aleatë me krimin kundër policisë dhe kundër shtetit dhe nuk është policia dhe qeveria në asnjë lloj aleance përkundrazi dhe unë kam fakte për këtë. Atëherë këta e dinë se nuk e kalojnë Vetingun dhe fillojnë të Kapin Çfarë të Kapin, KÇK, dhe kur të vijë Vetingu ikin. Në çdo rast si këto, ata marrin thesin dhe ikin. Çfarë ndodh me këto? Menjëherë mbas pezullimit fillon verifikimi i figurës dhe i pasurisë. Jo nga Vetingu po nga të gjitha agjencitë që merren me këtë dhe shkojnë para gjyqit si gjykatës apo prokurorë të akuzuar për t’ u dënuar me burg se kanë bashkëpunuar me krimin. Kjo është  për prokurorët dhe gjyqtarët dhe kjo u bë dje në ligj. Sot me këtë ligj që kemi kaluar gjyqtarët dhe prokurorët që japin një vendim skandaloz, dënohen me burg. Rastet i gjykon qeverisja e re e drejtësisë”, theksoi ai.

Në vijim, Rama tha se: “Inspektori  i Lartë i Drejtësisë ka detyrë të bëjë verifikime dhe ndërkohë, KLGJ dhe KLP e pezullojnë dhe gjatë procesit të verifikimit futen të gjithë. Me këtë masë kemi arritur t’u japim mesazhin e qartë të gjithë këtyre të KÇK-së mos guxoni të bëni veprime të tilla. Sepse ata japin vendime dhe pastaj fillon historia, ka dhënë një letër  kryetari i bashkisë, ka dalë në fotografi me atë dhe fillon dhe bëhet një komglomerat që s’merret vesh se kush është krimi dhe kush po e lufton krimin”.

“Çfarë kemi bërë dhe pse sot? Sot ka një emergjencë për ta çuar luftën kundër krimit në ekstrem dhe ligji special nuk merret fare me asgjë tjetër përveçse me një gjë. Je dënuar se ke vrarë, ke shfrytëzuar vajza, ke trafikuar drogë e ke kryer dënimin apo je duke e kryer. Çdo njeri në sistemin demokratik ka të drejtë të rehabilitohet. Jo ne po ti, jo shteti po ti do provosh se pasurinë e ke burim të ligjshëm dhe jo aktivitet kriminal. Kjo nuk është shpikja jonë por është ajo që ka bërë Italia që ka shkatërruar mafian. Ne kemi një ligj antimafia. Ligji i  antimafias është më i egër se ky ligj dhe nuk funksionon”, tha ai.

Duke folur për ligjin special Rama tha se “Kjo është shpallja më ekstreme e luftës kundër krimit të organizuar. Ky ligj godet fuqinë financiare të krimit të organizuar dhe ne kemi të drejtë të  besojmë se ne kemi një prokurori të re SPAK. Policia merr dosjen e çon në SPAK dhe nuk mund të jetë luftë selektive se është listë e mbyllur. Sa të dënuar janë deri në momentin që ka dalë ligji dhe të gjithë ata që janë në listët e të dënuarve do të shkojnë në këtë proces. SPAK e merr, dhe pasi merr  kërkesën verifikon dosjen se ka qenë i dënuar, ose i akuzuar, ka këtë  pasuri. Bën një vlerësim të vetin dhe ia çon Gjykatës Speciale dhe brenda 15 ditësh kërkon sekuestron, brenda 15 ditëve Gjykata Speciale vendos sekuestron dhe pastaj pronat e sekuestruar shteti i përdor si të dojë vetë ndërsa ai ka vetëm 6 muaj kohë për betejë ligjore”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.