Vasili: Ligji anti KÇK, alibi e bashkëpunimit me krimin

TIRANË, 12 shkurt /ATSH – I. Vata/- Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili Petrit Vasili akuzoi kryeministrin Rama pas fjalimit në Kuvend duke thënë se ligji anti KÇK nuk është gjë tjetër veçse një alibi dhe legalizim i klientëve kriminelë të tij.

“Sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mashtroi publikisht dhe në mënyrën më të rëndë shqiptarët lidhur me paketën “KÇK” dhe lidhur me veprimet që i kishin lidhur gjoja duart atij për të vepruar kundra krimit e për të bërë detyrën e tij. Edi Rama gjithashtu u ankua se nuk kishte se kujt t’ia çonte dosjet e krimit dhe të korrupsionit. Ky mashtrim bëhet publikisht ka vetëm 2 qëllime. Qëllimi i parë është për të krijuar një alibi, pra për të krijuar një alibi bashkëpunimit kriminal të qeverisë me krimin dhe për t’i dhënë gjithashtu një alibi dhe legalizim kriminelëve tashmë klientë të qeverisë në të gjithë veprimtarinë e saj politike, elektorale dhe ekonomike”, tha ai.

Po ashtu Vasili shtoi se Reforma në Drejtësi për të cilën u votua dhe u investua një Parlament i tërë me 140 deputetë, kishte vetëm një qëllim, krijimin e institucioneve të pavarura të cilat nuk kishin asnjë punë me qeverinë prandaj dhe zgjidheshin me një mekanizëm tërësisht të pavarur.

“Ku përfundoi Reforma në Drejtësi me institucione të pavarura siç ishte SPAK-u dhe BKH që pritet të ndërtohet. Ju e dini shumë mirë që ligji për SPAK-un u votua nga të gjitha aktorët politik edhe nga partia Demokratike, e cila në atë kohë refuzoi të votonte në atë kohë 6 ligjet e paketës për Reformën, pra kishte një mirëkuptim të plotë politik që të ngrihej një instrument mbi politikën, jashtë politikës që të luftonte krimin”, u shpreh Vasili. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.