Teknologji e avancuar me elementë antisizmikë/ Gati modelet e reja të banesave për të prekurit nga tërmeti

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar për Rindërtimin të mbajtur sot, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj prezantoi modelet e reja të banesave që do të rindërtohen për të prekurit nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit që la pas 51 të vdekur e mbi 1 mijë të plagosur.

Ministri theksoi se ka përfunduar procesi i krijimit të modeleve për ndërtimin e banesave.

Ahmetaj tha se çmimi është ai referent i Entit Kombëtar të Banesave.

“Parashikohet të operohet me një teknologji të avancuar me elementë antisizmikë të standardeve europiane”, tha Ahmetaj.

Ministri bëri të ditur se menjëherë pasi Instituti i Ndërtimit të bëjë oponencën teknike, modelet i kalojnë zyrtarisht 2 njësive zbatuese: Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkisë së Tiranës të nisin procesin ndërkombëtar të prokurimit.

Janë gjithsej 11 490 njësi strehimi që u kategorizuan si të shkatërruara ose të prishura plotësisht, banorëve të të cilave do të duhet t’u sigurohet strehim përmes Programit të Rindërtimit.

Grupi i përbashkët i punës i përbërë nga ekspertët e qeverisë, Bankës Botërore, Komisionit Europian dhe PNUD publikoi këtë javë raportin me faturën totale të dëmeve që tërmeti ka shkaktuar në ekonomi si dhe koston për rindërtim.

Sipas këtij raporti, 83.745 njësi të tjera strehimi janë dëmtuar pjesërisht ose lehtë, duke pasur nevojë për riparim.

Në total, 18% e njësive të banesave janë prekur.

Dëmi i shkaktuar llogaritet 696.3 milionë euro, ndërsa për rimëkëmbjen dhe rindërtimin vlerësohet se nevojiten 803 milionë euro.

Qytetet më të prekura nga shembja e banesave janë Durrësi me 37 179 banesa, Tirana me 35 085 banesa, Shijaku me 3 054 banesa, Kruja me 5 147 banesa, Lezha me 2 463 banesa, Kurbini me 2 367, Vora me 2 657 dhe Kavaja 3 859 banesa. /a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.