Shpronësimet, Balluku: Agjencia për procedurat zgjidh mosmarrëveshjet dhe vonesat

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ndryshimet në ligjin “Për shpronësimet”, vijnë si rezultat i problematikave të mëdha që janë hasur në praktikë.

Për shkak të problematikave me shpronësimet, – tha Balluku,- qytetarët marrin shërbimet e infrastrukturës me vonesë, pasi një pjesë e madhe e pronarëve kanë kontestime dhe si rrjedhojë ka një sere çështjesh ligjore të hapura.

“Këto rregullime vijnë si rezultat i problematikave të ndryshme që janë hasur në praktikë, gjatë implementimit të ligjit aktual për shpronësimet. Problematikat kryesore që janë ndeshur lidhen me zgjatje të afatit të procedurës e cila sjell vonesa dhe bllokim të zbatimit të projekteve dhe investimeve. Borxh të akumuluar për shkak të vonesave në pagesa të subjekteve të shpronësuara. Mungesë të negociatave dypalëshe me subjektin që do të shpronësohet. Mosrespektim i dispozitave ligjore në lidhje me mënyrën e pagesës së subjektit të shpronësuar. Procese gjyqësore me subjektet e shpronësuara, me objekt ndryshim të masës së vlerësimit të shpronësimit, ku numërohen rreth 400 çështje”, tha Balluku.

Sipas saj, ndryshimet e propozuara synojnë të rregullojnë procedurat e shpronësimit, me synim planifikimin si dhe përqendrimin e kompetencave të institucionit përgjegjës për shpronësimet

Për të përshpejtuar procesin parashikohet edhe ngritja e Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin,  institucion në varësi të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban.

Kjo Agjenci ka si detyrë të planifikojë dhe trajtojë kërkesat për shpronësim nga institucionet përkatëse. Përllogarit masën e shpronësimit për çdo pronë të prekur nga shpronësimi. Mbikëqyr ecurinë e procesit të shpronësimeve. Krijon bazën e të dhënave për të gjitha shpronësimet dhe likuidimet e çdo shpronësimi, si dhe ka të drejtë të hyjë në negociata me subjektet që shpronësohen, për sa i përket vlerës së shpronësimit dhe afatit të shlyerjes së kësaj vlere.

Me ndryshimet e propozuara, tha ajo, parashikohet edhe arritja e marrëveshjeve bilaterale mes qytetarit dhe ekspertëve të Agjencisë së re të Shpronësimeve që do të krijohet.

“Deri tani ka patur vetëm marrëveshje unilaterale, që do të thotë se është vendosur sipërfaqja që do të shpronësohet dhe më pas janë marrë masat për shpronësim. Në marrëveshjen bilaterale pronarët ulen, me ekspertët e Agjencisë dhe gjejnë një të mesme të pranueshme nga të dy palët sa i përket afateve të disbursimit dhe plotësimit të dosjeve me dokumentacion.
/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.