Programi i Rindërtimit/ Rama: Kërkoj pak durim nga banorët, çdo qindarkë e mbledhur do të ekzekutohet

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot banorëve të prekur nga tërmeti pak durim, duke theksuar se “duam të bëjmë një proces rindërtimi, ku gjithçka të jetë sipas standardeve”.

Në mbledhjen e radhës së Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Kryeministri Rama tha se “krahasuar me proceset normale të analizës, planifikimit dhe projektimit kemi ecur shumë shpejt, por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që njerëzit kanë çdo orë, jo çdo ditë pyetjen se “Kur do të kthehen në shtëpi” dhe për këtë dua të kërkoj me shumë përulësi durimin e tyre se duam të bëjmë një proces rindërtimi ku gjithçka të jetë sipas standardeve, sipas kushteve optimale për ato kategori ndërtesash që janë pjesë e procesit dhe në fund gjithkush të marrë një shtëpi më të mirë nga ajo që kishte, nga kjo pikëpamje”.
Sipas tij, për këtë arsye është e nevojshme të bëhet pak durim.
Më tej Kryeministri Rama u shpreh se më vjen keq që në raste të caktuara kam parë edhe dezinformim edhe përpjekje për të njollosur procesin duke u përpjekur edhe njollosja e miqve tanë që janë këtu të përfshirë nga organizatat e rëndësishme të solidaritet, të cilët dua ti falënderoj në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin, për durimin dhe faktin jo vetëm kanë kuptuar, por kanë mbështetur dhe garantuar që procesi të jetë i përbashkët dhe i integruar dhe jo një proces ku secili ikën në drejtimin e vet, bën çfarë i thotë dëshira dhe mendja e vet duke krijuar konfuzion dhe një Pazar të madh ku nuk merret vesh e kujt është tezga”.
Kjo, vijoi Rama, është pjesa që meriton një vlerësim dhe falënderim duke treguar solidaritetin miqve për këto goditje skandaloze që s’kanë asnjë lidhje me pozicionin dhe angazhimin e tyre, sikur me demek, nuk po bëjnë asgjë dhe donacionet nuk dihen se ku kanë shkuar.
Kreu i qeverisë i siguroi të gjithë se “çdo qindarkë e publikut, qoftë përmes buxhetit, donacioneve, qoftë në drejtim të qeverisë dhe organizatave që janë të përfshira dhe që janë këtu me ne është në pritje të ekzekutimit të projekteve, të cilat duan pak kohë për të nisur se projektet duan kohën e tyre”./k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.