Procedura e betimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Bushka: Në referim të drejtpërdrejtë të Komisionit të Venecias

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, u shpreh sot në seancën plenare të Kuvendit, se “ndryshimi ligjor që diskutojmë sot, ka përcaktuar një procedurë të betimit me shkrim vetëm në rastet e përjashtimit, kur Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij, që ia ka dhënë Kushtetuta për të organizuar ceremoninë e betimit”.

“Vendosja e një afati për ceremoninë e betimit, si dhe parashikimi i mekanizmit zhbllokues, pra realizimin me shkrim i betimit, nuk cenon kompetencat e Presidentit, por siguron funksionimin normal të një organi kolegjial, siç është Gjykata Kushtetuese”, – tha Bushka.

Në përgjigje të pyetjes së opozitës se pse nuk kemi marrë një model tjetër, por keni marrë modelin e Ukrainës. Bushka tha se, “nuk është marrë asnjë model për këtë ndryshim ligjor, i jemi referuar drejtpërdrejtë Komisionit të Venecias shprehur për një rast të ngjashëm në Ukrainë dhe në opinion e tij, tha ajo, “Venecia është shprehur qartë që autoritetet shtetërore të përfshira në procedurën e kompozimit të gjykatës, kanë detyrim kushtetues të sigurojnë vazhdimësinë e punës së gjykatës. Një procedurë efektive e emërimit nuk përbën garancinë e vetme për të shmangur bllokimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, të metat me mekanizmin e funksionimit mund të pengojnë punën e gjykatës, prandaj çështja e administrimit të betimit duhet të trajtohet. Objekt kryesor duhet të jetë që betimi të bëhet në kohën e duhur dhe procedura e betimit të mos kalojë në formalitetet që mund të pengojnë qëllimin e detyrës së gjyqtarit”.

Bushka tha se, kjo është fryt i ndryshimit ligjor që paraqesim ne sot këtu. Ndërsa theksoi se nuk mund të ndryshohet Kushtetuta për këtë gjë, pasi vetë Kushtetuta jep hapësirë që jo çdo gjë ta parashikojë vetë, por çështje të detajuara të parashikohen përmes ligjeve të veçanta, siç është edhe rasti sot.

Bushka u ndal edhe tek ndryshimet e propozuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilin tha se, “ndryshimet synojnë, të bëjnë të mundur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilët ka filluar procedimi disiplinor për shkelje të ligjit, që cenojnë rëndë figurën e magjistratit”. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.